Kapiteni i Barcelonës, Lionel Messi, e ka shfrytëzuar llogarinë e tij zyrtare në rrjetin social Instagram për t’i thënë lamtumirë trajnerit të shkarkuar Ernesto Valverde, i cili është zëvendësuar me Quique Setienin.
Ish-trajneri i Real Betisit, Quique Setien, u emërua të hënën në mbrëmje trajner i Barcelonës, pas shkarkimit të Ernesto Valverdes, i cili kishte qenë në presion të madh që nga eliminimi i Barcelonës nga Atletico Madridi në Superkupën e Spanjës.
Mediat botërore raportojnë se Barcelona fillimisht dëshironte ta emëronte Xavin për ta zëvendësuar Valverden, mirëpo trajneri aktual i Al Saddit bëri të ditur se kthimi i tij në Barcelonë mund të ndodhë vetëm gjatë verës.
Përderisa sot i mbajti stërvitjet e para nën drejtimin e trajnerit të ri, Messi e shfrytëzoi ditën e sotme edhe për t’ia dërguar ish-trajnerit të tij një mesazh.
“Faleminderit për gjithçka, trajner. Jam i sigurt se gjithçka do të shkojë mirë për ty kudo që të shkosh sepse, përveç që je një top profesionist, je edhe një top person. Fat të mbarë dhe përqafime të mëdha”, shkroi Messi.
Gjatë kohës sa Valverde ishte trajner i Barcelonës, klubi i fitoi dy tituj të La Ligës, një të Kupës së Mbretit dhe një të Superkupës së Spanjës. Në nivelin individual, Messi e fitoi Topin e Artë 2019 dhe çmimin për lojtarin më të mirë të FIFA-s, si dhe çmimet për golashënuesin më të mirë në La Liga dhe Evropë, në të dyja sezonet. /ge