Pas vendimit të MINT-it për çmimin e naftës, naftëtarët mbajnë mbledhje urgjente

Prishtinë | 09 Shk 2023 | 10:59 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), gjatë ditës së mërkurë, ka marrë vendim t’i caktojë çmimet e naftës.

Sipas vendimit të marrë nga ministrja Rozeta Hajdari, marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me shumicë është dy (2) eurocentë për litër, kurse marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me pakicë është dymbëdhjetë (12) eurocentë për litër.

“Ky vendim është marrë me qëllim të mbrojtjes së konsumatorit dhe konkurrencës në treg, pasi pas monitorimeve të inspektorëve në treg kanë evidentuar mospërshtatje të çmimeve vendore me lëvizjet në tregun botëror të naftës”, thuhej në njoftimin e MINT-it.

Mirëpo, pas vendimit të ministres Rozeta Hajdari, kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, ka thirrur takim pas vendosjes së çmimit tavan për derivatet e naftës.

“Ftoheni të merrni pjesë në takimin, i cili mbahet më 09.02.2023, në orën 13:30. Në zyrat e OEK-ut, arsyeja e takimit vendimi i MTI-së”, thuhet në ftesën që ka parë Demokracia.com.

Çmimi tavan i vendosur nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) kishte skaduar në muajin nëntor të vitit 2022.

Të ngjashme