Pas vendimit të MMPH-së, banorët e Matit 1 do ta padisin komunën e Prishtinës

Prishtinë | 27 Mar 2017 | 17:00 | Nga

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor së shpejti pritet të dalë me vendim për  ankesat e rreth 1 mijë banorëve përgjatë rrugës “B”, në lagjen Mati 1 (pjesa nga ndërtesat e “LIN Projektit” në veri, deri te ndërtesat e “Ing Engineeringut” në jug).

Të gjeturat e kësaj ministrie, sipas burimeve të Indeksonline, përputhen me ankesat e banorëve për veprime të kundërligjshme në zonën e paraparë si zonë gjelbëruese.

Banorët e kësaj zone të Prishtinës, pas ankesave të bëra në Komunën e Prishtinës, i ishin drejtuar Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, duke kërkuar prej saj që t’i shpallë të pavlefshme lejet e komunës për ndërtime në atë pjesë.

Këto kërkesa banorët i kishin bërë duke u bazuar në Ligjin nr. 2003/14 për Planifikim Hapësinor, në Ligjin nr. 03/L-025 për Mbrojtjen e Mjedisit, si dhe në ligjin dhe aktet përcjellëse për ndërtime, transmeton Indeksonline.

“Komuna duke mos zbatuar ligjin dhe duke vepruar në kundërshtim me Ligjin nr. 2003/14 – Ligji për Planifikimin Hapësinor, respektivisht në kundërshtim me nenet 15, 16, 17, 19, 20 dhe 22, më datë 02.03.2017 na ka ofruar një letër në formatin “A4” të një kinse plani rregullativ, i cili shihet se është i kundërligjshëm dhe në kundërshtim me dispozitat ligjore, andaj në bazë të ligjit të planifikimit dhe atij administrativ, neni 92 vendimet për aktivitete, përpos zhvillimit të infrastrukturës dhe rekreacionit, do duhej të shpallen të pavlefshme. Ju njoftojmë se asnjëherë nuk ka pasur diskutime apo shqyrtime publike me neve si banorë dhe as me askënd, siç parashihet me ligj”, thuhet në shkresën e banorëve për Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Banorët kishin kërkuar që zgjidhja për lagjen e tyre të mbetej ajo që ishte dhënë në lejet e ndërtimit dhe sipas propozimit të tyre në peticion, pra që kyçje-daljet dhe zona gjelbëruese në rrugën B të mbetej aty ku është tani, e cila është paraparë edhe me lejet ndërtimore dhe i përgjigjet standardeve profesionale, duke e rregulluar infrastrukturën e tërësishme, përfshirë atë të rrugëve dhe të zonave të gjelbërimit e rekreacionit.

Plani rregullues ku bazohet Komuna e Prishtinës, sipas banorëve të kësaj lagjeje, është kryekëput i kundërligjshëm e joprofesional dhe përbën edhe vepër penale, pasi asnjë nga banorët nuk ka qenë i ftuar dhe as që ka pasur diskutim publik për të.

Në shkresën e tyre drejtuar Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, banorët e kësaj zone shkruajnë se Komuna e Prishtinës nuk i ka respektuar as kriteret ligjore të ndërtimit, as të ligjit për rrugët dhe as të planit zhvillimor urban lidhur me kushtet ndërtimore dhe distancat në mes të objekteve.

“Në zonat e reja të banimit ruhen distancat në mes të objekteve 1 deri në 1.5h, ndërsa nga kufiri i parcelës 0.50-0.75 h. Te fasadat pa ndriçim primar minimumi i distancës është 7.0 m. Në zonat e reja të banimit maksimumi i lejuar i shputës ISHP 0.4, 40% e sipërfaqes”, citojnë ligjin në shkresën e tyre këta banorë.

Indeksonline nga brenda Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor mëson se ky dikaster qeveritar së shpejti pritet të dalë me një vendim mbështetës për kërkesat e banorëve të kësaj zone, sepse faktet që kanë sjellë, përfshirë lokacionin, planin rregullues, situacionin e lejes ndërtimore dhe peticionin, nxjerrin në pah shpërputhje të mëdha të komunës së Prishtinës që ndërlidhen me këtë zonë.

Pas vendimit të këtij institucioni, banorët e kësaj zone kanë paralajmëruar edhe ngritjen e padisë kundër komunës së Prishtinës për veprime të kundërligjshme dhe favorizuese për grupe të veçanta të interesit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme