Nëse qëllimi i bashkësisë ndërkombëtare dhe specifikisht i BE-së ka qenë pastrimi i Kosovës nga gjoja krimet e luftës të kryerja nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e cila për hir të vërtetës u mbështet fuqishëm nga NATO dhe pothuaj nga tërë diplomacia botërore, atëherë pse nuk u hetuan edhe rastet e privatizimit që u udhëhoqën nga UNMIK-u?!
Pra, e keqja është se nuk ndodhi as njëra e as tjetra. E ç’faj kanë qytetarët e Kosovës pse kjo nuk ndodhi?! Pse vazhdimisht u kalkulua politikisht?! Nëse drejtësia është e sinqertë, pa marrë parasysh a është vendore apo ndërkombëtare, ajo vetëm politikisht nuk duhet të kalkulojë, sepse po ndodhi ashtu, atëherë dihet se si mund të duket një sistem i drejtësisë?!
Sikur, EULEX-i ta merrte me sinqeritet (qysh prej fillimit të misionit) si hetimin e gjoja krimeve të luftës ashtu edhe hetimin e privatizimit ku ishin të përfshirë vetë zyrtarë të ndryshëm të vendeve të BE-së, atëherë me siguri që gjendja e sundimit të ligjit sot do të ishte shumë më e mirë se sa që është. Pra, kush e ndali EULEX-in për një ndërmarrje të tillë, kur kishte të gjitha mjetet në dispozicion për të hetuar dhe arrestuar këdo në Kosovë?! Pse BE asnjëherë nuk reflekton për këtë dështim të vetin?!
Padyshim drejt BE-së
Pa marrë parasysh çfarë ndodhi dhe u tha, Kosova kishte, ka dhe do të ketë vetëm një orientim, e ai është anëtarësimi i plotë në BE. Këtu nuk ka asnjë mëdyshje, ky orientim është i pa-alternativë. Sa më herët që ndodh kjo aq më mirë për BE-në dhe për Kosovën, natyrisht. BE duhet të ketë parasysh që zgjidhjet e mëdha mund të dalin edhe përmes dyerve të vogla.
Në qoftë se qytetarët e Kosovës paska mundësi të shkojnë me kontrata pune nëpër të gjitha vendet e BE-së, pse nuk paskan mundësi që të shkojnë edhe për vizita turistike pa pasur nevojë të presin me orë të tëra dhe të paguajnë taksa të larta për viza?! Pse rinia jonë, aq e dëshiruar në tregun e BE-së (i përballur me rënie të lirë demografike), qenka e mirëpritur për punë por jo edhe për vizita turistike?! A mund të konsiderohet kjo drejtësi?!
Qytetarët e Kosovës e vizitojnë kohë pas kohe Stambollin, i cili asnjëherë nuk ka vënë viza për Kosovën, por duke qenë të orientuar tërësisht kah BE duan që të frekuentojnë shumë më shpesh Berlinin, Parisin, Romën e Brukselin. Sepse orientimin pro-evropian qytetarët e Kosovës e tregojnë edhe në rrugë, ku mbi 95% të makinave janë me prejardhje nga vendet e ndryshme të BE-së. Sepse orientimin evropian e tregojnë qytetarët e Kosovës edhe me flamuj të vendeve të ndryshme të BE-së të varur nëpër vende publike, shtëpi dhe çdokund. Përkundër vonesave të shumta që i shkakton rregullisht BE, nuk ka as edhe një vend në rajon që ka përqindje më të lartë pro integrimit evropian se sa Kosova dhe meriton të kihet parasysh.
A duhet pritur pa fund?!
Pra, edhe një herë, qytetarët e Kosovës nuk duhet të paguajnë çmimin e pritjes pafund për viza, sepse nëse ka ndonjë shtet që ka paguar çmim më të madh për evropianizim të Evropës, atëherë qytetarët e Kosovës janë numër një në Evropë. Meqë vazhdimisht kemi kontribuar në të mirë të Evropës pse na duhet të paguajmë çmimin e pritjes së mëtejme për faktin e paqëndrueshëm të frikës në BE se liberalizimi i vizave mund të rrisë ndikimin e forcave ekstreme brenda Shteteve Anëtare të BE-së dhe mund të ndryshojë përbërjen e Parlamentit Evropian më 2019, forca këto të cilat janë të orientuara kundër emigracionit për efekte të pastra elektorale?! Vazhdimisht gjendet një arsyetim për mosliberalizim, një herë thuhej plotësoni kriteret, kur ato u plotësuan, tash na dalin, edhe pse nuk thuhet publikisht, zgjedhjet për Parlament Evropian.
E kush garanton që pas zgjedhjeve të Parlamentit Evropian nuk do të ketë probleme të tjera. Vetë fakti që borxhi publik është në rritje në të gjitha vendet e BE-së tregon për krizën tjetër në ardhje brenda BE-së dhe më gjerë. Vetë kjo krizë financiare në ardhje mund të pjellë ndonjë –xit tjetër, pas Brexitit. E nëse BE gjendet në një situatë të tillë, atëherë duhet të jetë e sinqertë me vetëveten në radhë të parë e pastaj edhe me qytetarët e Kosovës, duke u thënë që kemi mijëra probleme të brendshme që janë duke e gërryer të ardhmen e BE-së. Demonstratat në Francë janë vetëm fillimi i thellimit të krizës brenda BE-së.
Konsensusi brenda BE-së ka qenë ndër pikat më të dobëta të BE-së, e kjo konfirmohet te mungesa e tij në politikat e jashtme, të sigurisë dhe të brendshme. Kjo sëmundje kronike e ka përcjellë BE-në që prej fillimit e deri më sot dhe problematika e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës veç sa e ka ri-konfirmuar mungesën e konsensusit brenda BE-së.
Argati dhe vetingu
Ky shkrim nuk është për t’i bërë argatin askujt, por vetëm flet për krahasime që mekin. Është fakt që Kosova ka korrupsion ashtu siç kanë të gjitha vendet e rajonit dhe BE-së. Po kjo nuk është ndryshe në asnjë vend të botës. Është fakt që sistemi i drejtësisë ka probleme strukturore. Por, nuk duhet harruar se sistemi i drejtësisë do të përmirësohet krahas zhvillimit ekonomik dhe shoqëror. Askush mos të shpresojë që një veting do të mund ta përmirësonte dukshëm këtë sistem.
Fundja, vetingu në Kosovë a nuk u bë tërësisht nga bashkësia ndërkombëtare?! Nëse qenka bërë keq, atëherë pse paska ndodhur ashtu? Vetingu është një veprim minor krahasuar me problemet strukturore që ka sistemi i drejtësisë, rrënjët e të cilit shtrihen që nga sistemi i super korruptuar dhe tejpolitizuar jugosllav, ku shqiptarët e Kosovës kurrë nuk i besuan sistemit të drejtësisë dhe shtetit jugosllav, gjithmonë i panë si të huaja dhe kjo logjikë do të ndryshojë vetëm me kalimin e kohës dhe natyrisht me ndryshimin e shoqërisë.
Për më tepër, vendet komuniste vetëm sisteme të drejtësisë nuk kishin, kjo sepse sistemet e atëhershme ishin sisteme të direktivave politike shtetërore, ku shteti ndërhynte haptazi në gjykata, prokurori, burgje dhe në të gjitha sferat e jetës publike dhe private. Sigurisht që ka korrupsion dhe krim të organizuar gjithandej, por çdokush që shpreson që sistemi i drejtësisë në Kosovë do të rregullohet për një kohë të shkurtë, atëherë ai apo ajo e ka humbur orientimin në kohë dhe hapësirë. Natyrisht që institucionet e Kosovës nuk duhet të ndalen në këtë drejtim, sepse përmirësimi i sistemit të drejtësisë është para se gjithash interes jetik për të ardhmen e qytetarëve të Kosovës. Por, dëshira me realitetin jo gjithmonë korrespondojnë.
Ligje pa ligje
Edhe në fushën e hartimit të legjislacionit të Kosovës dhe përafrimit të tij me atë të BE-së sa i përket Sundimit të Ligjit, vlen të theksohet se pothuaj të gjitha ligjet dhe aktet nën-ligjore , përfshirë sistemin e drejtësisë janë hartuar me ndihmën e ekspertëve të BE-së. Edhe Kodi Penal, Kodi i Procedurës Penale së bashku me tërë legjislacionin penal dhe atë civil janë hartuar me ndihmën e ekspertëve të BE-së.
Prandaj, nuk është e udhës që Kodi Penal dhe ai i Procedurës Penale të plotësohen e ndryshohen shpesh sepse kjo krijon pasiguri dhe paqartësi ligjore, pasojat e të cilës do t’i bartin vetëm qytetarët e Kosovës. Ne e kuptojmë se vetë shoqëria është evoluive dhe konform saj hartohen politikat dhe legjislacioni, por nuk mund ta kuptojmë kur na thuhet se ky apo ai ligj nuk i plotëson të gjitha kriteret ndërkombëtare e ndërkohë që vetë ai ligj është hartuar nga projekte të BE-së.
Kjo ndodh shpesh nga ekspertë të BE-së, që për hirë të vërtetës vijnë nga sfonde të ndryshme ligjore nacionale dhe kjo nganjëherë shkakton konfuzion mes institucioneve tona se cilat praktika t’i absorbojnë. Pra, sigurisht që ligjet duhet të përafrohen me legjislacionin e BE-së, por ato nuk bën të ndryshohen shpesh, sepse atëherë jostabiliteti ligjor është i pashmangshëm ashtu siç do të jetë e pashmangshme joefiçenca e sistemit të drejtësisë.
E procesi i liberalizimit të vizave është hapi i dytë (dhe ndër më kryesorët) i BE-së pas MSA-së, kuptohet para anëtarësimit në këtë organizëm rajonal, që konfirmon dhe mban gjallë perspektivën evropiane për qytetarët e Kosovës. Prandaj, BE-ja duhet t’i hapë portat, sepse qytetarët e Kosovës qysh moti e meritojnë një trajtim të tillë. Nuk duhet harruar fakti që siguria individuale në Kosovë është shumë më e lartë se sa në metropolet e BE-së, për këtë ka fakte, por edhe vetë përfaqësues të vendeve të BE-së që veprojnë në Kosovë e thonë këtë. (Vazhdon)