Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me kandidatët socialistë për deputetë në qarkun e Shkodrës, ku theksoi rëndësinë e qëndrimit në linjën e Partisë Socialiste dhe punës së ndershme. Ai paralajmëroi se kushdo që devijon nga rruga dhe nuk punon për qëllimin e përbashkët të PS-së, do të përballet me pasojat.
Në fjalën e tij, Rama vlerësoi punën e drejtësisë dhe të SPAK, duke e quajtur një proces të domosdoshëm, pavarësisht kritikave që mund të ketë. “Ne e mbështesim këtë proces deri në fund dhe nuk kemi përse të ulim kokën,” tha ai, duke theksuar se drejtësia duhet të funksionojë pavarësisht se si e përdorin kundërshtarët politikë.
Kryeministri gjithashtu ironizoi opozitën, duke thënë se disa e shohin SPAK-un si të vetmen shpresë për të luftuar politikisht me PS-në. “Ata që nuk kanë asgjë në dorë, kapen pas SPAK-ut si aleat opozitar,” u shpreh Rama.
Sa i përket integritetit të socialistëve në pushtet, ai ishte i prerë: “Kush punon për qëllimin e përbashkët është i nderuar, kush përdor fuqinë që i jep populli për interesa personale do të shkojë atje ku e ka vendin.”
Kryeministri prezantoi “Paketën e Maleve”, një iniciativë për zhvillimin ekonomik të zonave malore.
“Në Valbonë, para tre vitesh, asnjë restorant nuk kishte verë shqiptare, sot 70% e verës që shitet aty është prodhim vendas”, u shpreh ai.
Nga ana e tij, Rama theksoi se nuk është i bindur për një ndërhyrje të tillë të qeverisë. “Unë besoj se produkti i mirë shet veten e vet. Jam socialist, por nuk jam për kaq shumë ndërhyrje. Po të fusim kontrolle, do të duhen inspektorë, ata do të provojnë verën, do të duan edhe ndonjë gjobë”, tha kryeministri me humor.