Ditë më parë në media ka qarkulluar një video, ku shihet vetura e kryetarit e të Komunës së Podujevës, Agim Veliut, e parkuar para hyrjes së Kuvendit Komunal.
E për këtë veprim, PDK në Podujevë ka reaguar, duke e quajtur të “papërgjegjshëm” Veliun.
Ky është reagimi i plotë i PDK-së së Podujevës:
Në fakt, qytetarët janë mësuar tash e disa vite të shohin veturën e kryetarit Agim Veliut të parkuar para hyrjes së objektit të komunës. Kësisoj, Agim Veliu, veç që nuk përfill ligjin e rregullat e komunikacionit, duke e mbajtur veturën të parkuar aty deri në gjysmë ore ndezur, por pengon edhe hyrjen e qytetarëve në komunë. Në këtë mënyrë kryetari Veliu sfidon edhe policinë e Kosovës, pasi në vend se policia të marrë masa dhe këtë akt ta kualifikojë si shkelje të rregullave të komunikacionit e si rrjedhojë si shkelje të ligjit, ata nuk ndërmarrin asnjë hap të tillë, sepse mund të “gjobiten” nga kryetari.
Vlen për ta theksuar këtu se me këtë makinë, kryetari Agim Veliu e dëmton edhe buxhetin e qytetarëve, sepse ai bënë rreth 60 kilometra në ditë në rrugën Podujevë-Prishtinë dhe anasjelltas, pasi banon në Prishtinë duke i shpenzuar rreth 400 litra karburante në muaj.
Dega e PDK-së në Podujevë e ka ngritur kaherë shqetësimin e saj lidhur me këtë çështje, shqetësim ky edhe i qytetarëve. Përkundër kësaj kryetari aktual konsideron se qeverisja e tij është e drejtë dhe vazhdon me avazin e vjetër, duke shkelur ligjet,.
Dega e PDK-së në Podujevë, konsideron se abuzimi me paranë e qytetarëve për t’i përmbushur egot e veta, nga ana e kryetarit Veliu, është një shkelje të cilën qytetarët duhet ta ndëshkojnë në zgjedhjet e ardhshme, sepse një i tillë nuk u duhet atyre dhe shumë nga ata deklarojë se këtij modeli qeverisës, si me pashallëk, është duke i ardhur fundi.