PDK: Çmendet Agim Bahtiri, mbulon asfaltin me zhavorr

Mitrovicë | 26 Tet 2017 | 14:40 | Nga

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) në Mitrovicë ka shprehur shqetësimin për veprimet e kryetarit në detyrë të Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtirit, në kohën e fushatës për raundin e parë të zgjedhjeve lokale dhe tash për balotazh.

“Verbëria e tij politike ka bërë që ky njeri të marrë vendime absurde që nuk janë parë dhe nuk janë dëgjuar, vetëm për të mashtruar qytetarët para balotazhit”, thuhet në një reagim të Degës së PDK-së.

“Në vazhdën e veprimeve të çmendura të këtij njeriu të çuditshëm, është hedhja e zhavorrit mbi rrugën e asfaltuar në fshatin Frashër. Situata e krijuar në atë rrugë tash paraqet rrezik të madh për qytetarët që lëvizin andej, meqë rruga është bërë shumë e rrezikshme për automjete dhe për këmbësorë”.

“Ky veprim tregon se çka është në gjendje të bëj një njeri që ka ardhur në krye të Mitrovicës duke i mashtruar qytetarët dhe që prapë pretendon t’i mashtroj ata për një mandat të dytë. Ajo çfarë ka bërë ai me Mitrovicën dhe çfarë po vazhdon të bëj është e tmerrshme, e papranueshme dhe tepër e dhimbshme”, thuhet në komunikatë.

“Ai po i trajton qytetarët si të marrë, duke provuar t’i mashtrojë me gjithçka”.

Sipas PDK-së, gjatë kohës së fushatës ai ka shtruar në rajonin e Shalës asfalt në trashësi për 3 centimetrash, ndërsa në Kqiç dhe lokalitete tjera ka shtruar rrugë në pronë private. “Ai e ka humbur çdo arsye dhe është duke e futur Mitrovicën në një hendek, ku gjendet edhe politikisht. Ai fyen shaljanët duke shtruar asfalt që do të prishet brenda muajit dhe kërkon votën e tyre. Ai shan drenicakët dhe kërkon besimin e tyre dhe në fund ofendon qytetarët me mungesën e qytetarisë së tij”.

Partia Demokratike e Kosovës në Mitrovicë kërkon nga qytetarët që t’i denoncojnë këto veprimet “e këtij njeriu të verbuar politikisht, meqë ai është tmerruar nga dënimi që do ta marrë me votë, prandaj dëshiron që në greminën e turpit të mos rrëzohet vetëm, por me gjithë Mitrovicën”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme