Dega e PDK-së në Prizren, në vazhdimësi po e monitoron punën e qeverisë lokale në Prizren dhe në këtë kontekst, i kemi përcjellë veprimet që janë bërë në lidhje me mënyrën se si po menaxhohet buxheti i Komunës së Prizrenit.
Janë disa argumente valide që dëshmojnë keqqeverisjen dhe ato po i paraqesim në vazhdim, ku në përfundim të vitit aktual, kemi këto zhvillime rreth buxhetit:
Me datë: 01.11.2020 është mbyllur viti buxhetor për zotime, për kategorinë e investimeve kapitale.
• Nga buxheti i alokuar për vitin 2020 në vlerë prej 20.993.284 €, kanë ngelur pa u paguar dhe zotuar ende rreth 12.891.953,87 € ;
• Nga burimi i financimit granti qeveritar, kanë ngelur pa u zotuar dhe paguar rreth 8.905.089,19 €;
• Nga burimi i financimit të hyra vetanake, kanë ngelur pa u zotuar dhe paguar rreth 2.8 milion €;
• Nga burimi i financimit të hyrat e bartura, kanë ngelur pa u zotuar dhe paguar rreth 1.2 milion €.
Kur kanë ngelur edhe një muaj e gjysmë deri në përfundimin e afatit për realizimin e pagesave, vie në pyetje si do të shpenzohen rreth 12.9 milion € pagesa, pra po flasim për mbi 60% të buxhetit të alokuar.
Karakteristikë e veçantë është se burimi i financimit (të hyra të bartura), ishin dashur të përdoren për gjysmën e parë të vitit 2020, sepse janë mjete që janë bartur nga viti 2019, me destinimin për mbulimin e obligimeve kontraktuale, të cilat po ashtu janë bartur nga viti 2019.
Kjo do të thotë se rreth 1.2 milion € borxhe nuk janë paguar deri më tani.
I’u përkujtomë se:
• Në vitin 2018 komuna ka pasur suficit buxhetor prej 2.731.779 €;
• Në vitin 2019 komuna ka pasur suficit buxhetor prej 3.586.000 €;
• Në total suficiti buxhetor për dy vite kap shumën prej 6.317.779 €.
Dëshirojmë të informojmë opinionin e gjërë publik se suficiti buxhetor është tregues i paaftësisë së qeverisjes lokale, për t’i menaxhuar mjetet buxhetore, të cilat komuna i ka në dispozicion dhe suficiti buxhetor si i tillë, është edhe burim potencial i korrupsionit.
Fare nuk është e vertëtë se është kursim i mjeteve, sikur dikush që po mundohet ta paraqes, kur e kemi parasysh faktin se për tri vite sa është në pushtet VV dhe Kryetari Haskuka, suficiti buxhetor kap shumën alarmante prej 19.209.732,87 €, dhe kur kësaj shume i shtohen edhe 5.5 milion € që komuna i humb për vitin e ardhshëm për shkak të mos votimit të buxhetit, arrijmë deri tek shuma më tepër se alarmante prej 24.709.732,87 €, që në esencë tregon keqqeverisjen, e cila po ndodhë në Komunën e Prizrenit, në tri vitet e fundit të kësaj qeverisje abuzuese, të udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje.
Mungesa e kapaciteteve menaxhuese të buxhetit, jofleksibiliteti i Kryetarit dhe stafit të tij, si dhe
injoranca që po i bëhet opozitës, janë vetëm disa nga shkaktarët e kësaj gjendje, e cila bizneseve të Komunës së Prizrenit, u’a ka larguar nga qarkullimi afër 25 milion €, që në këtë gjendje të vështirë ekonomike, ka pasoja më të rënda, se kur gjindemi në rrethana tjera normale.
Me 10 drejtorë të akuzuar për keqpërdorime të detyrës zyrtare, madje ka pasur edhe të arrestuar nga zyra ligjore si dhe me staf politik pa vizion, kjo qeveri lokale e axhamive, nuk mund të ofroj më tepër dhe siç thotë populli: një ditë e më parë duhet të largohet kjo qeveri.