Partia Demokratike e Kosovës ka dorëzuar sot në Kuvendin e Republikës së Kosovës, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, raporton Ekonomia Online.
Kjo nismë ligjore vjen pas aktgjykimit denues të Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, aktgjykim që Partia Demokratike e Kosovës e ka kundërshtuar publikisht dhe e ka cilësuar si të padrejtë dhe të papranueshëm.
Këtë e ka bërë të ditur kryetari i PDK-së, Bedri Hamza në një konferencë për media.
Hamza tha se projektligji nuk parasheh mbylljen e Dhomave të Specializuara të Hagës.
“Projektligji që po paraqitet jep një përgjigje të qartë. Nuk kërkon mbylljen e Dhomave të Specializuara. Nuk kërkon që akuzat që lidhen drejtpërdrejt me pretendimet për të cilat u krijuan Dhomat e Specializuara që kanë të bëjnë me trafikimin e organeve njerëzore dhe krimet kundër njerëzimit të mos hetohen, përkundrazi. Ato raste do të vazhdojnë të jenë pjesë e mandatit të tyre. Pra, kjo nuk është një nismë për pafajësi e pandëshkueshmëri. Është një nismë për të caktuar, për të përcaktuar se kush ka të drejtë të gjykojë çfarë. Kjo është një çështje e sovranitetit ligjor të Republikës së Kosovës. Dhe vetë Dhomat e Specializuara e Gjykata Kushtetuese ka konstatuar më parë se kufijtë konkretë të juridiksionit të Dhomave janë përcaktuar me ligjet e miratuara nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.
Nëse Kuvendi e ka përcaktuar atë juridiksion, Kuvendi ka edhe përgjegjësinë ta rishikojë ligjin kur konsideron se ai nuk e pasqyron më qëllimin për të cilin është miratuar. Projektligji e bën pikërisht këtë. Ai kërkon që akuzat të kenë një lidhje konkrete me pretendimet për të cilat është krijuar kjo gjykatë. Jo një lidhje të përgjithshme. Jo interpretime të pafundme.Jo zgjerim të mandatit vetëm se një ngjarje ka ndodhur gjatë luftës. Duhet të ketë një lidhje të qartë me misionin për të cilin është krijuar ky mekanizëm”, tha Hamza.
Kjo nismë ligjore vjen pas aktgjykimit denues të Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, aktgjykim që Partia Demokratike e Kosovës e ka kundërshtuar publikisht dhe e ka cilësuar si të padrejtë dhe të papranueshëm.
Pas këtij vendimi, PDK ka paralajmëruar se, krahas hapave të tjerë demokratikë dhe institucionalë, do të ndërmarrë edhe veprime konkrete ligjore në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Projektligji i dorëzuar sot synon ndryshimin dhe plotësimin e kornizës ligjore mbi të cilën funksionojnë Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, duke u mbështetur në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Amendamentin nr. 24 të Kushtetutës, marrëveshjet ndërkombëtare përkatëse dhe Aktgjykimin KO26/15 të Gjykatës Kushtetuese.
Partia Demokratike e Kosovës konsideron se çdo institucion i themeluar me ligjet e Republikës së Kosovës duhet të veprojë në përputhje të plotë me Kushtetutën, ligjet e vendit, standardet ndërkombëtare të drejtësisë dhe garancitë për një proces të drejtë gjyqësor.
Përmes kësaj nisme, PDK kërkon që Kuvendi i Republikës së Kosovës ta ushtrojë përgjegjësinë e tij kushtetuese dhe ligjvënëse, duke shqyrtuar me seriozitet dispozitat ligjore që rregullojnë funksionimin e Dhomave të Specializuara.
PDK do të vazhdojë të ndjekë çdo rrugë demokratike, institucionale dhe ligjore për të kundërshtuar atë që e konsideron padrejtësi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit dhe për të kërkuar respektimin e plotë të standardeve të drejtësisë në të gjitha fazat e mëtejshme të procesit.
