Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli bashkë me kandidatin e kësaj partie për kryetar të Komunës së Prishtinës, Lirak Çelaj kanë nisur fushatën në Prishtinë me vizita në disa biznese.
Ata së pari janë ndaluar tek një argjendari në rrugën “Agim Ramadani” në kryeqytet ku kreu i PDK-së ka treguar se është baba i kujdesshëm pasiqë aty ia ka blerë një palë vathë vajzës së tij.
Shumë nga bizneset kanë kërkuar që produktet vendore janë ato që duhet të dominojnë.
Veseli ka premtuar se më qeverisjen e PDK-së importin do të ndalet dhe se produktet vendore do jenë frymë e qeverisjes lokale, raporton Ekonomia Online.
“Çelaj si Kryetar i Prishtinës do ta ketë përkrahjen e plotë të PDK-së për një qeverisje të pastër, transparente dhe llogaridhënëse”, është shprehur Veseli.
Sipas Veselit, qeverisja e deri tanishme nuk ka punuar me bizneset dhe nuk i ka ofruar shërbimin e nevojshme.
Kurse Çelaj ka thënë se komuna deri tani ka punuar me postime të Facebook-ut dhe ka premtuar se çështja e trafikut do të rregullohet.
Prishtina, theksoi ai, deri tash është udhëhequr nga rrjetet sociale, dhe kjo, sipas tij, nuk do të ndodhë më.
Me vizita në biznese Veseli e nisi fushatën edhe dje në Mitrovicë, bashkë me Valdete Idrizin e cila garon për kryetare të këtij qyteti.