PDK: Haskuka me kritere të dyfishta te rastet kur ka dyshime

Prishtinë | 22 Nën 2019 | 08:47 | Nga Ekonomia Online

Drejtuesit e Degës së PDK-së në Prizren, të enjten, kanë akuzuar kryetarin e Komunës, Mytaher Haskuka, se me gjithë dyshimet që ka pasur për projektin e ndërtimit të Pishinës Olimpike i ka dhënë dritën gjelbër realizimit të tij. Sipas tyre, ai nuk ka vepruar njëjtë edhe në rastin e projektit të Teleferikut, të cilin për shkak të dyshimeve të tij e ka anuluar.

“Tani vijmë tek konstatimi se z. Haskuka tek rastet kur ka dyshime nuk vepron me kritere të njëjta, por vepron në mënyrë preferenciale”, ka thënë kryetari i degës së PDK-së, Shaqir Totaj gjatë një konference për media. Ai ka shprehur qëndrimin se lidershipi komunal nuk duhet të zbatojë praktika të kësaj natyre.

“Kjo mënyrë e të vepruarit dëmton interesin publik dhe tregon mungesë të aftësisë menaxheriale dhe të lidershipit, më se të nevojshëm për të udhëhequr një qytet si Prizreni”, ka deklaruar Totaj.

Paraprakisht ai ka përkujtuar se javë më parë pesë OJQ kanë prezantuar raportin e monitorimit të aktiviteteve të prokurimit të quajtur “Pishina e Parregullsive”, në kuadër të cilit janë evidentuar parregullsitë që kanë të bëjnë me prokurimin dhe menaxhimin e kontratës për ndërtimin e Pishinës olimpike në Prizren. Totaj ka pohuar se konkluzionet e OJQ-ve tregojnë se kjo kontratë ishte ballafaquar me probleme që nga fillimi, përfshirë fazën e planifikimit, publikimit, vlerësimit, ankesat, si dhe menaxhimin e kontratës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme