PDK i reagon VV-së për akuzat në Prizren

Prishtinë | 11 Tet 2017 | 17:46 | Nga

Partia Demokratike e Kosovës, (PDK), dega në Prizren, ka reaguar ndaj veprimeve të VV-së, lidhur me atë që kjo e fundit ka thënë se kandidati për kryetar të Prizrenit nga radhët e PDK-së, Shaqir Totaj, ka përdorur gjatë fushatës , gjuhë duke nxitur urrejtje e përçarje.

Partia Demokratike e Kosovës, dega në Prizren, konsideron se veprimet e Vetëvendosjes, janë propagandë për konsum politik dhe mediatik.

Reagimi i plotë

“Ne u’a rikujtojmë se rrugëtimi politik i PDK-së është i përbashkët me qytetarët shqiptarë, turq, boshnjak, rom, ashkalinjë e egjiptas të Prizrenit.

PDK, dega në Prizren, mirëpret “ndryshimet e qëndrimeve dhe parimeve bojkotuese të deritanishme në ideologjinë e VV-së, të cilët kanë filluar të reflektojnë, duke i njohur institucionet e Republikës së Kosovës dhe organet e drejtësisë”.

Vetëvendosje në Prizren, në mungesë të ofrimit të programit qeverisës për qytetarët e komunës së Prizrenit dhe si shkak i frikës për humbje në zgjedhjet e 22 tetorit, bien në nivele të ulta të propagandave shterpe .

Kandidati për kryetar, njëherit kryetari i ardhshëm i Prizrenit, z.Shaqir Totaj, është qytetar i ndershëm i Prizrenit, i cili bashkëjeton me multietnicitetin në Prizren dhe njihet nga të gjithë qytetarët prizrenas si një person me vlera të larta shoqërore, etike dhe profesionale. Përgaditja profesionale dhe tradita familjare e z.Shaqir Totaj nuk përkon me atributet e m’veshura nga oponent të caktuar, të cilët fyejnë dinjitetin dhe integritetin e tij .

Qytetarët e Prizrenit dhe të Kosovës kanë me mijëra incizime të linçimeve politike e kërcënimeve nga drejtues e anëtarë të VV-së për shumë zyrtarë të Republikës së Kosovës, madje edhe aksionet e programuara të VV-së mbi institucionet e Kosovës me molotov e zollë,  si rastet në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Të gjithë  zyrtarët e VV-së, fjalimet e tyre i kanë të shkruara nga zyrat Gebelsiane të VV-së në Qendër dhe kanë një vokabular të njëjtë me epitete dhe emra të ndryshëm e denigrues për të gjithë ata që nuk janë me VV-në.

Audio-incizimi i montuar e përpunuar dhe dorëzimi i kallëzimit penal, sot, nga VV është sinjal i qartë i mungesës së përkrahjes qytetare për VV-në dhe se përgjigjen meritore do ta merr në referendumin e 22 tetorit, ku do të pësojë fiaskon e radhës politike.

Partia Demokratike e Kosovës, dega në Prizren, fton të gjithë kundërshtarët politik dhe opinion e gjerë publik, që të zhvillojnë  fushatë elektorale dinjitoze, të bazuar në vlera dhe ofrim të alternativave, ashtu siq Prizreni e ka traditë në kulturën e tij si një qytet multi etnik dhe multi kulturor”, thuhet në reagim.

 

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme