Të gjitha subjektet politike parlamentare kanë konfirmuar pjesëmarrjen në tryezën e sotme të ftuar nga LDK-ja, përpos Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), shkruan tutje Gazeta “Zëri”.
Tryeza e thirrur nga partia më e madhe opozitare (LDK), ku do të diskutohet për zgjidhjen e temave të mëdha nacionale, si dhe për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme, nuk pritet t’i mbledhë të gjitha partitë politike.
Përderisa pjesa dërrmuese e subjekteve pritet të marrin pjesë në këtë takim, zyrtarë nga PDK-ja kanë thënë për “Zërin” se nuk duhet shkuar në një tryezë të tillë, e cila pritet të mbahet të mërkurën (sot), duke filluar prej orës 13:00.
Megjithatë, nga ky subjekt kanë deklaruar se tek gjatë ditës do të dalin me një qëndrim zyrtar lidhur me këtë çështje.
Për dallim prej saj, dy partitë e tjera të koalicionit (AAK-ja e Nisma) tashmë kanë njoftuar se do të jenë pjesë e tryezës së thirrur nga LDK-ja, ndonëse kanë pohuar se njëherë nuk do të ketë zgjedhje siç po kërkon LDK-ja.
Pjesëmarrjen e ka konfirmuar edhe Lëvizja Vetëvendosje, përfaqësues të së cilës kanë thënë se LVV-ja është gjithmonë për organizimin e tryezave.
Pavarësisht këtyre, nga shoqëria civile konsiderojnë se takimi nuk do të jetë frytdhënës pasi PDK-ja tashmë i është kundërpërgjigjur LDK-së me publikimin e platformës nga kryetari i partisë, Kadri Veseli.