Këshilltarët komunalë të PDK-së në Podujevë kanë kërkuar që laptopët e legjislaturës së kaluar t’u jepen shkollave të kësaj komune.
Ndërkohë që laptopët e rinj, që pritet t’i marrin këshilltarët e Kuvendit të dalë nga zgjedhjet e vitit 2017, të mos i kthejnë më sikur më herët. Në seancën e fundit të Kuvendit Komunal të Podujevës kur është diskutuar për këtë pikë, për të cilën këshilltarët nuk kanë pasur material, shefi i Grupit të këshilltarëve të LDK-së, Avni Fetahu, ka propozuar që këshilltarët që kanë qenë pjesë e përbërjes së Kuvendit të kaluar t’i marrin laptopët e njëjtë, shkruan sot “Koha Ditore”.
“Unë kisha kërkuar që këshilltarët që kanë qenë në mandatin e kaluar t’i marrin laptopët e njëjtë që i kanë pasur. Ndërsa, këshilltarët e rinj që nuk kanë qenë në mandatin e kaluar t’i marrin laptopët e tjerë”, është shprehur Avni Fetahu.
Në anën tjetër, këshilltari komunal i PDK-së Arbër Blaku ka dalë me propozimin që laptopët që i kanë përdorur këshilltarët komunalë në përbërjen e kaluar t’u jepen shkollave të kësaj komune.