Partia Demokratike e Kosovës, me shqetësim ka marrë lajmin për vjedhjen e 2 milionë eurove nga Thesari i Shtetit. Situata është edhe më e rëndë kur në këtë fazë tejet të ndjeshme janë bërë shkarkime në tri institucione që luftojnë krimin dhe mbikëqyrin sektorin financiar të shtetit.
Para disa ditësh, Kryeministri Hoti në mënyrë arbitrare kishte shkarkuar drejtorin e Policisë, drejtorin e ATK-së dhe drejtorin e Doganës. Nuk vonoi shumë ku edhe Qeveria Hoti pa ndonjë paralajmërim ka shuar task-forcën për luftimin e krimeve të natyrës që sot po shohim në Thesarin e Shtetit.
PDK kërkon përgjegjësi të plotë institucionale dhe politike nga Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami si dhe kryeministri Hoti për këtë krim ekonomik qeveritar.Për t’i dhënë hapësirë hetimeve të pavarura, e për t’ju shmangur ndërhyrjes politike, PDK kërkon dorëheqjen e Ministres Bajrami dhe fton organet e drejtësisë që të hetojnë çdo individ që është përfshirë në këtë krim qeveritar.
Po ashtu, PDK sqaron se zyrtari i arrestuar në Ministrinë e Financave nuk është dhe kurrë nuk ka qenë pjesë e Partisë Demokratike të Kosovës. Përkundrazi, qytetarët e Drenasit e dinë fare mirë që i apostrofuari vjen nga një familje që tradicionalisht kanë qenë mbështetës të LDK-së në këtë komunë. Për më tepër i ftojmë mediat që këtë ta hulumtojnë vetë jashtë PDK-së.