Koalicioni PDK- LDK nga shumëkush është cilësuar koalicion i elefantëve për shkak të numrit të madh të deputetëve në Kuvendin e Kosovës. Mirëpo, ky koalicion sipas politologut, Krenar Gashi nuk është koalicion elefantësh sa është koalicion statujash prej elefantëve.
Gashi hotë se fuqia formale e koalicionit është e gjerë, meqë e kanë një shumicë absolute në Kuvend, mirëpo sipas tij, fuqia funksionale e koalicioni as që i afrohet asaj formale.
“Kjo fuqi, pra, ka mbetur fuqi numrash, dhe së këtejmi, cilado fuqi tjetër politike, prej opozitës, bashkësisë ndërkombëtare, shoqërisë civile e deri te fuqia individuale e njerëzve brenda koalicionit, sado e vogël te ketë qenë, ka arritur ta pengojë apo në raste të caktuara edhe ta paralizojë këtë koalicion”, ka thënë Gashi.
Tutje, Gashi thotë se ajo që është parë këto dy vite në Kosovë nuk ka qenë qeverisje por improvizim i qeverisjes. Në këtë improvizim, qeveria, sipas tij, ka arritur që të çojë përpara një pjesë të agjendës së saj politike, por që kjo agjendë është cunguar, zvarritur dhe bllokuar.
“Te dy partitë e koalicionit duket se janë të kënaqura me këtë improvizim. Duket qartë se të dy partive nuk u intereson shumë se çka konkretisht bëjnë, pra substanca e qeverisjes, dhe se vetëmjaftohen me të qenit në pushtet qoftë edhe nëse nuk bëjnë gjë”, ka shtuar Gashi.
E sa i përket zërave për riformatim të qeverisë, ai thotë se në këtë konstalacion politik, çdo riformatizim i qeverisë do të ishte sa për sy e faqe dhe se nuk do të mund ta ndryshonte në substancë qeverisjen.