PDK konsideron se vonesa rreth dorëheqjes, apo vetëdorëzimi i drejtorit për Ekonomi dhe Financa të Prizrenit, z. Ertan Simitçi, dëshmoi më së miri se pushtetarët nga Vetëvendosje ndërmorën këtë veprim jo për t’i përmbushur premtimet për një qeverisje me duar të pastra, por pas presionit të vazhdueshëm njëmujor.
Gjunjëzimi i kryetarit të Komunës, Mytaher Haskuka erdhi jo nga parimi për premtimetsa ishte në opozitë, por nga presioni i shoqërisë civile, opozitës,pastaj medieve, e sidomos në fund edhe pas reagimit të Ambasadës Amerikane.
Dorëheqja e një drejtori, që tek e fundit është vetëm i akuzuar nuk përbënë asgjë, kur dihet se Haskuka në kabinetin e tij qeverisës, ka edhe dy drejtorë të dënuar nga gjykata, njëri prej të cilëve për dy vepra penale.
PDK kërkon që kryetari gjithsesi ta shkarkojë edhe drejtorin për Urbanizëm, Fatmir Memajn, i cili është i dënuar për pengim të personave zyrtarë, apo policisë.
Për më keq, drejtori tjetër i Haskukës, Ehat Oreshka që drejton Kulturën, është dënuar për veprat penale, falsifikim të dokumentit dhe legalizim të përmbajtjes së rreme. Ja se çfarë kulture përfaqëson ai!
Është për të ardhur keq se si këto dënime të drejtorëve të tij, nuk paraqesin problem për kryetarin e komunës, Haskuka, që aq shumë lavdërohej për qeverisje të pastër, duke mos lejuar drejtorë me aktakuza, ndërsa tashmë në pushtet, jo vetëm që i mban, por madje edhe mbron drejtorë të dënuar.
PDK konsideron se ripërsëritja e qëndrimit, se rastet e drejtorëve të dënuar nuk kanë të bëjnë me komunën, është treguesi më i mirë për qasjen dhe joseriozitetin e një kryetari si Haskuka, që premtoi ndryshim, por na solli dështim, të cilin prizrenasit tashmë e kanë të qartë.
Për Haskukën nuk është e rëndësishme që drejtorët e tij janë shkelës të ligjit, derisa ai në foltoren e Kuvendit të Komunës bënte gjyqtarin, duke deklaruar me emocione se disa e kanë vendin në burg.
Haskuka nuk është se nuk e di nevojën e shkarkimeve tëkëshilltarëve të tij të dënuar, por ai nuk ka guxim të veprojë. Kjo tregon se drejtorët e dënuar njohin për kryetarë shefat e partive të tyre, të cilët po e mbajnë në pushtet Haskukën. Në këtë rast më së miri vërtetohet konstatimi i opozitës se Prizreni qeveriset me disa kryetarë, dhe se ata janë shefat e partive në koalicion.
Haskuka është treguar joparimor, duke ndërmarrë veprime të njëanshme, pasi në rastin e më të dobëtit ka lejuar të dorëhiqet një drejtor me aktakuzë, ndërsa nga fillimi i qeverisjes mban afër dy të tjerë të dënuar nga gjykata.
Ky gjithsesi duhet të jetë një tjetër alarm edhe për shoqërinë civile dhe mediet.