Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së Memli Krasniqi, në një prononcim për Telegrafin ka thënë se ende nuk kanë pranuar ftesë zyrtare nga Lëvizja Vetëvendosje për tryezën e partive politike e cila do të mbahet të premten me temë kyçe, zgjedhjet e parakohshme.
Krasniqi ka thënë se qëllimi i tryezave ka qenë që të arrihet konsensus i gjerë për temat e rëndësisë nacionale dhe jo të diskutohet për zgjedhje.
“Ne ende s’kemi pranuar ftesën zyrtare, andaj s’mund të përgjigjem me saktësi se si do të veprojmë. Ajo që mund të them tash është se qëllimi i tryezave ka qenë që të arrihet konsensus i gjerë për temat e rëndësisë nacionale dhe jo të diskutohet për zgjedhje, të cilat ne mendojmë se duhet të mbahen në afatin e rregullt ligjor”, ka thënë shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi.
Ndërkaq, parti tjera politike si opozitë dhe pozitë kanë deklaruar në media se do të marrin pjesë në këtë tryezë të thirrur nga LVV.
Ndryshe, kjo tryezë mbahet me synim arritjen e konsensusit për realizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Republikën e Kosovës, si zgjidhje demokratike, që do të mundësonte krijimin e një qeverisjeje legjitime të shumicës, për të çuar përpara proceset e domosdoshme politike dhe ekonomike.