PDK për planin në “Kalabri”: S’kemi votë për kontrabandim të pronës publike

Prishtinë | 31 Maj 2024 | 11:46 | Nga Flutura Sogonjeva Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Partia Demokratike në Prishtinë ka ripërsëritur qëndrimin e saj kundër planit për lagjen “Kalabria”. Në konferencën për media të premten, PDK ka deklaruar se nuk do ta votojë planin për këtë lagje, raporton Ekonomia Online.

Asamblisti i kësaj partie, Leutrim Retkoceri, ka thënë se me anë të këtij plani rreth 15 hektarë tokë publike po vihen në shërbim të ndërtuesve.

“Ky plan ka për qëllim tjetërsimin e pronës publike me ndërtime të larta. Prapë mbi 15 hektar pronë publike po vihet në shërbim të ndërtuesve. PDK-ja nuk ka votë për kontrabandim të pronës publike në kurriz të banorëve”, është shprehur Retkoceri.

Ai ka thënë se PDK-ja do ta përkrahë një plan për këtë lagje, vetëm atëherë kur do të sillet një plan siç ka theksuar ai, për interesa të qytetarëve dhe jo për interesa të ndërtuesve.

Ndërkohë, deputetja Eliza Hoxha njoftoi që PDK-ja nuk ka votë për këtë plan të Kalabrisë, përmes së cilit po provohet të kontrabandohet prona publike në kurriz të banorëve.

Sipas saj, plani aktual që e ka propozuar Përparim Rama nuk përmban elementet e duhura ligjore, praktike dhe urbanistike.

Hoxha ftoi të gjithë publikun, përfshirë arkitektët, që të shikojnë planin dhe të bëhen aktiv në mbrojtjen e interesit publik.

“A nuk duhet të na vie keq që ende i referohemi lagjeve Ulpiana, Bregu i Diellit e Dardania si lagjet më të mira e më cilësore për të jetuar? A nuk na vie keq që për 40 vite nuk kemi arritur të prodhojmë një plan e një lagje të re në qytet që do të ishte shembull i mirë dhe model për tu ndjekur?” tha Eliza Hoxha.

Për fund, PDK në Prishtinë iu bëri thirrje të gjithë asambleistëve, pa dallime partiake që të ndikojnë në përmirësimin e këtij plani. Kjo praktikë e ngulfatjes së Prishtinës duke u thirrur në emër të banorëve e duke maksimalizuar kërkesat e ndërtuesve duhet të ndaloj. Prishtina meriton më shumë.

Të ngjashme