PDK prezanton fakte shtesë për punësimet e paligjshme në Prishtinë

Prishtinë | 25 Gus 2016 | 16:21 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), dega në Prishtinë ka paraqitur në një konferencë për media argumente të reja dhe ka publikuar fakte për emrat e aktivistëve të Vetëvendosjes që janë punësuar me kontrata mbi vepër në Komunën e Prishtinës që udhëhiqet nga Shpend Ahmeti.

Sekretari i PDK-së në Prishtinë, Bujar Cakolli ka thënë se kryetari i komunës në vend që të jap llogari për punësimet e militantëve partiakë, ka bërë monologje në media duke u arsyetuar dhe duke u përpjekur që të përmend disa emra të këngëtarëve që kanë qenë në listën e emrave të publikuar.

“Me këtë rast i bëjmë pyetje Shpend Ahmetit, kush janë këta persona që ai i ka punësuar në kontratë mbi vepër në Komunë: Erzen Vraniqi, Salih Zyba, Alban Krasniqi, Drilon Pireva, Albion Rexhepi, Arbër Sejdiu, Adelina Krasniqi, Alban Azemi, Arbenora Berisha, Besnik Mujeci, Dardan Osmanaj, Fatime Ahmeti, Fortesa Bryma, Osman Bllaca, Xhevdet Pozhari, Avni Zuka, Labinot Dibrani, Ardian Olluri, Ibrahim Morina, Petrit Ademi…Këta janë vetëm disa nga militantët e shumtë të Vetëvendosjes që janë punësuar me kontratë mbi vepër dhe sot vazhdojnë të punojnë në Komunën e Prishtinës, dhe asnjëri prej tyre nuk është pjesë e estradës, e as e shoqatës së arkitektëve të kryeqytetit, siç arsyetohet kryetari Ahmeti”, ka thënë Cakolli në konferencën për media.

Sipas Cakollit, disa nga emrat e përmendur në këtë konferencë, nga kontrata mbi vepër janë avancuar nga Shpend Ahmeti, me akt-emërime nëpër pozita të larta, pa ju nënshtruar procesit të konkursit, siç e parasheh ligji i punës.

“Pas këtyre fakteve të reja që po ju prezantojmë sot, besojmë se institucionet e drejtësisë, do të ndërmarrin hapat e nevojshëm, për të hetuar të gjitha veprimet e kundërligjshme të kryetarit Ahmeti, sepse këto fakte dëshmojnë se ai ka rënë ndesh me ligjin”.

“I ndodhur përball shkeljeve të shumta ligjore, pafuqisë së tij politike dhe, paaftësisë menaxhuese, Shpend Ahmeti në njërën anë luan rolin e viktimës para qytetarëve të Prishtinës, e në anën tjetër punon vetëm për punësimin e militantëve të Vetëvendosjes, të cilët sillen nga zyrat e partisë së tij, nga mbarë Kosova, më së paku nga Prishtina”, tha Cakolli.

Ai ka vlerësuar se Shpend Ahmeti ndodhet në fundin e karrierës si kryetar i Prishtinës, dhe për këto tri vite, e vetmja gjë që ka ditur të bëjë është bllokimi i qytetit dhe siç tha Cakolli, do të mbahet mend në historinë e Prishtinës dhe prishtinasve si kryetar i arsyetimeve, kryetar i rrjeteve sociale e assesi si një kryetar i zhvillimit të kryeqytetit.

Të ngjashme