PDK thotë se nën drejtimin e saj, shëndetësia po transformohet

Prishtinë | 30 Tet 2018 | 16:40 | Nga Besjana Bajrami Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Tash e një vit jemi duke bërë përpjekje të mëdha për të transformuar shëndetësinë kosovare, e cila prej vitesh ka qenë e lënë pas dore. Në fund të këtij mandati synojmë të kemi një sistem shëndetësor të standardeve bashkëkohore.

Kështu ka thënë kryetari Kadri Veseli, në tryezën për kancerin e gjirit, organizuar sot në Prishtinë nga Rinia e Partisë Demokratike e Kosovës.

Në fjalën e tij para të pranishmëve, kryetari i PDK-së tha se sot në botën bashkëkohore, jeta kualitative e qytetarëve, siguria, shëndeti, stabiliteti ekonomik, janë prioritete që i japin kuptim politikës, jo frazat bombastike e patriotizmat abstrakte.

“Ne sot jemi bërë bashkë në këtë tryezë për të trajtuar një problem shumë të ndjeshëm dhe shumë sfidues për mirëqenien e qytetarëve tanë, familjeve tona, fëmijëve tanë. Ky është problem i kancerit të gjirit. Statistikat janë shqetësuese. Ato flasin se, nga viti në vit, rastet e kancerit të gjirit kanë ardhur duke u shtuar në Kosovë. Kjo sëmundje ka një ndikim të drejtpërdrejtë negativ, si në jetën e grave të prekura prej saj, por njëkohësisht në familjet tona, në mirëqenien e fëmijëve”, theksoi Veseli.

Prandaj, shtoi kreu i PDK-së, reagimi duhet të jetë i përbashkët, si shoqëri dhe si shtet, që me politika të duhura të ndikojë në ndalimin e këtij trendi shqetësues të rritjes së rasteve me kancer të gjirit.

Krahas kësaj, Veseli tha se ka edhe mundësi për t’ju gjetur pranë nënave, motrave e grave që tanimë janë të prekura prej tij.

“Tash e një vit jemi duke bërë përpjekje të mëdha për të transformuar shëndetësinë kosovare, e cila prej vitesh ka qenë e lënë pas dore. Ky transformim ka dy qëllime: qëllimi i parë, pacientët kosovarë duhet të gjejnë shërim dhe shërbime cilësore në vendin e tyre, e jo të bredhin spitaleve të rajonit duke shkatërruar ekonominë e tyre familjare. Duhet t’i japim fund fenomenit të eksportimit të pacientëve në vendet e rajonit. Qëllimi i dytë, mjekëve tanë duhet tu krijomë kushte teknologjike dhe financiare që profesionin e tyre human ta ushtrojnë në vendin e tyre, e të mos kërkojnë që ta braktisin Kosovën. Duhet t’i japim fund eksportimit të trurit në fushën e mjekësisë”, tha kryetari Veseli.

Veseli shtoi Partia Demokratike e Kosovës ka marrë drejtimin e sektorit të shëndetësisë pikërisht për këto qëllime.

“Gjatë këtij viti ne kemi dëshmuar se e kemi seriozisht në arritjen e tyre dhe në fund të këtij mandati ne synojmë të kemi një sistem shëndetësor të standardeve bashkëkohore. Dhe më të mirë se të vendeve të rajonit. Ne mundemi dhe ne do ta bëjmë këtë”, tha në fjalën tij kryetari i PDK-së.

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili tha se është i përkushtuar të kontribuoj në përmirësimin e situatës dhe kushteve në sektorin e shëndetësisë derisa premtoi investime të reja sidomos në sektorin e onkologjisë duke shtuar edhe listën e barnave esenciale, raporton EO.

“Aktivitetet që kanë të bëjnë në ngritjen e vetëdijes për kontroll ma të hershme i bëjnë aleatë të mëdhenj. E falënderoj personelin shëndetësor që jo vetëm këtë muaj por edhe muajve tjerë për krijimin e një klime të mirë për pacientët, por edhe për kujdesin e tyre. Natyrisht edhe pacientet kanë nevojë për përkrahje institucionale. Të gjithë pra neve na kanë treguar se sektori i shëndetësisë ka filluar të degradojë, ku ka varfëruar edhe qytetarët tonë dhe ne kemi vendosur që si parti të jemi në shërbimin tuaj. Me institutin e onkologjisë jemi duke bërë investime që krijojnë shërbime të reja, po ashtu kemi shtuar edhe gamën e medikamenteve. Ne kemi vërejtur vet se si pacientët, ashtu edhe mjekët janë mbeshtetës të reformave. Unë premtoj që do të shtojmë shërbimet në sektorin e onkologjisë dhe do të investojmë në gjithë sektorin që pacientet të mos varfërohen dhe të mos bredhin”, tha ai.

Onkologu Ilir Kurteshi tha se Ministria e Shëndetësisë duhet të rris kapacitetet infrastrukturore dhe njerëzore në mënyrë që pacientet të kenë mundësin të trajtohen në Kosovë.

“Ministri duhet me na përkrah në marrjen e ilaçeve të reja. Pacientet nuk kanë nevojë që të shkojnë të trajtohen jashtë Kosovës dhe të shkatërrohen financiarisht për shërbime që mund të kryhen në Kosovë. Ka shumë raste që e kanë fituar luftën kundër kancerit të gjirit. Ministria e shëndetësisë është duke punuar por në kërkojmë që të ngritën kapacitetet edhe njerëzore edhe infrastrukturore që pacientet të trajtohen në Kosovë”, tha ai.

Ajnishahe Halimi, zyrtare e PDK-së tregoi për përvojën e saj me sëmundjen e kancerit të gjirit derisa porositi të prekurit me këtë sëmundje qe të mos e fshehin sëmundjen dhe ta trajtojnë atë.

“Unë isha pacientja e parë në onkologji. Faleminderit të gjithë ata që e përkrahin, ata që vuajnë, një pacient me kancer të gjirit, sepse unë e kam përjetuar vet dhe përkrahja i duhet. Unë e kisha një krenari dhe nuk e pranoja që unë vuaja nga kanceri i gjirit, nuk e pranova një vit por gjithsesi duke mendu që jemi njerëz fillova me trajtu këtë sëmundje. Unë uroj që  të gjithë të jemi të shëndetshëm, por përkrahni. Kur fillova të trajtohesha unë isha krenare që isha e zonja ta përballoja kancerin. Sfidën e kam tash e shtatë vite dhe jam shumë krenare që kam bashkëjetuar me këtë sëmundje ashtu siç kam dashur vet. Pas pesë vitesh më është kthyer sëmundja, mirëpo jam krenare që ende jam shumë e vullnetshme dhe e guximshme ta trajtoj këtë sëmundje,” tha ajo.

Mexhide Topalli kryetare e Grupit të Grave Deputete ftoi të gjitha gratë dhe vajzat që të trajtohen me kohë në mënyrë që ta luftojnë sëmundjen e kancerit të gjirit.

“Unë konsideroj që ishte mesazh i fort i zonjës Ajnishahe që sduhet të kemi frikë nga e panjohura. Ne duhet ta trajtojmë atë”, tha ajo.

Të ngjashme