Partitë politike kanë konfirmuar pjesëmarrjen në tryezën e thirrur nga Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, që pritet të mbahet të mërkurën për të diskutuar rreth shkuarjes së vendit në zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Megjithatë, përfaqësuesit e subjekteve politike thonë se nuk presin marrëveshje për zgjedhje.
Partitë në pushtet kanë deklaruar për “Zërin” se zgjedhjet e parakohshme mund të vinë vetëm me vullnetin e pozitës, në të kundërtën këto thirrje të opozitës po bëhen vetëm për konsum publik.
Ndërkaq PDK-ja nuk ka bërë të ditur nëse do të jetë pjesë e kësaj tryeze apo jo.
Nënkryetari i PDK-së Xhavit Haliti ka deklaruar për gazetën “Zëri” se Qeveria mund të rrëzohet vetëm nëse njëra nga partitë në pozitë e përkrah mocionin e opozitës, në të kundërtën, sipas tij, opozita s’mund të bëjë asgjë.
“Nuk e besoj, por gjithçka mund të ndodhë. Nuk besoj që mund të ketë zgjedhje vetëm në rast se pozita dëshiron ta rrëzojë vetveten, ashtu siç kemi vepruar dy herë më herët, përndryshe opozita nuk ka shanse ta rrëzojë pozitën”, tha ai për “Zërin”.
Por Haliti tha se problemi qëndron te Lista Serbe, për të cilën nuk dihet nëse është në pozitë apo në opozitë.
“Problemi është se a janë serbët në pozitë apo në opozitë, këtu është çështja kyçe. Në qoftë se kanë kaluar në opozitë dhe duan ta rrëzojnë Qeverinë, atëherë është e mundshme, në të kundërtën me numrat e opozitës nuk ka gjasa të rrëzohet Qeveria”, tha ai.
I pyetur nëse PDK-ja ka gjasa t’i bashkohet opozitës për rrëzimin e Qeverisë, Haliti tha se PDK-ja nuk ka qenë fare e shqetësuar me këtë çështje.