Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, ka thënë se në takimin bilateral që ka zhvilluar të premten me homologen e tij nga Shqipëria, Anila Denaj, kanë diskutuar për mënyrën e avancimit të bashkëpunimit dhe bashkërendimin e politikave zhvillimore bujqësore në mes të dyja shteteve, raporton Ekonomia Online.
Ministri Peci këto deklarata i bëri në një konferencë për media se bashku me ministren Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural nga Shqipëria, Anila Denaj, ku të dy ministrat kanë theksuar se do të bashkëpunojnë në avancimin e qëndrueshëm të bujqësisë dhe sigurisë ushqimore si sinonim për sigurinë nacionale.
“Po diskutojmë për mënyrën e avancimit të bashkëpunimit tonë mesë dy vendeve për të gjitha fushat tematike që mbulojnë sektorin e bujqësisë, duke filluar nga siguria ushqimore, rritja dhe efikasiteti i sigurisë ushqimore. Eliminimi i burokracisë së pa nevojshme mesë produkteve tona që krijohen nga duart e arta të fermerëve tanë, të grupeve prodhuese dhe përpunuese edhe deri tekë pjesa e shkëmbimeve tona, të përvojave, shkëmbimeve tregtare dhe avancimit në të gjitha aspektet. Në funksion të kësaj kemi diskutuar edhe për një mori temash edhe për fushën e sektorit të bujqësisë dhe zhvillimit rural, mesë tjerash edhe për pjesën e partneriteteve ndërkombëtare dhe shkëmbimin e përvojave që neve na leverdisin si dy vende”, ka thënë ai.
Ministri Peci ka theksuar se siguria ushqimore është pjesë e sigurisë kombëtare dhe se me ministren Denaj janë zotuar se do të angazhohemi në baza ditore që ta avancojnë edhe më tutje rritjen e shkëmbimit tregtar edhe prodhimit mesë dy vendeve.
“Në funksion të kësaj, siguria ushqimore është pjesë e sigurisë kombëtare, është pjesë e dakordimit që ne e kishim në takimin tonë të përbashkët për çka u zotuam se do të angazhohemi në baza ditore që ta avancojmë edhe më tutje rritjen e shkëmbimit tregtar edhe prodhimit mesë dy vendeve. Në këtë shkëmbimin tregtar që Kosova e ka me Shqipërinë, sektori i bujqësisë është sektori që qëndron më së miri dhe që në tri vite të fundit ka shënuar një rritje dhe një progres”, ka thënë ai.
Ministrja Denaj ka thënë se ndihet krenare me produktet që ofrojnë si Kosova e Shqipëria, ku sipas saj, së fundi është rritur me 15 për qind shkëmbimi tregtar mes dy vendeve.
Ajo ka rikonfirmuar gatishmërinë e Qeverisë së Shqipërisë për të rritur bashkëpunimin në funksion të zhvillimit bujqësor tek të dy vendet.
“Disa nga produktet të cilat neve jo vetëm na bëjnë krenar për atë që kemi arritur por njëkohësisht na mundësojnë edhe një këmbim edhe më të rritur të marrëdhënieve tona tregtare që në këtë vit është rritu me 15 për qind. Dua të prioretizoj disa nga produktet që ende kanë hapësirë për tu këmbyer më shumë, siç janë bimët aromatike dhe medicionale, për të cilat ne po marrim edhe akreditimin më të fundit nga agjencia jonë. Dhe disa nga këto shërbime mund ti shërbejnë bizneseve të dy vendeve për të njëjtin funksion me kosto më të optimizuara. Kemi vajin e ullirit, i cili gjithashtu po njehë një transformim në Shqipëri, ku mund të marrim modelet më të mira ato që sot e shohim së bashku për të implemetuar në një sistem i cili të jetë efektiv. Kemi tetë marrëveshje mesë dy vendeve tona, të cilat ne i rishikojmë herë pas herë por mbi të gjitha duhet të shikojmë se si këto marrëveshje të ‘updatohen’ në funksion të biznesit dhe të prodhuesve dhe konsumatorëve”, ka thënë ajo.