Gërvalla e Peci marrin pjesë në zbulimin e shtatores së ish-presidentit Rugova në Podujevë

Podujevë | 07 Sht 2024 | 15:22 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në përvjetorin e 34-të të Kushtetutës së Republikës së Parë të Kosovës, e njohur si Kushtetuta e Kaçanikut, sot me 7 shtator, në Podujevë u zbulua shtatorja e Dr. Ibrahim Rugovës, Presidentit të parë të Kosovës (24 maj 1992) dhe njëkohësisht Presidentit të parë të Kosovës së çliruar (4 shkurt 2002).

Qëndresa shoqërore që i parapriu protestave aktive studentore dhe luftës së lavdishme çlirimtare, kërkonte angazhim intelektual e kontribut qytetar, përkushtim kombëtar e nivel kulturor, vetëdije politike e afirmim ndërkombëtar. Me fjalën e qetë dhe të urtë, me punën e vazhdueshme dhe të durueshme, Presidenti Rugova përfaqësonte politikat e tij në Kosovë dhe jashtë saj, për liri, për demokraci dhe për pavarësi.

Krahas qytetarëve të shumtë në zbulimin e kësaj shtatore morën pjesë edhe Familja Rugova; krerët e shtetit, presidentja Vjosa Osmani e kryeministri Albin Kurti; zv.kryeministrja dhe ministre e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla; ministri Faton Peci, kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi; ish-presidenti Fatmir Sejdiu e personalitete të tjera.

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, dikur pjesë e LDK-së, tani bashkëkryetare e “Guxo”, tha se Ibrahim Rugova, po zë vendin e merituar në këtë qytet, por jo vetëm në shesh si i bronztë, por edhe në zemrat e të gjithëve.

Gërvalla, e cila foli në emër të qeverisë, vlerësoi lart figurën e ish-presidentit Rugova, duke thënë se “vizioni i tij i qartë, mençuria, thellësia e mendimit, këmbëngulja në parime e sidomos dashuria që populli i Kosovës nuk ia kursyen as pas luftës, e shpëtoi vendin tonë nga një vorbull e rrezikshme”.

“Më në fund shtatorja e presidentit Ibrahim Rugova, 25 vjet pas luftës po zë vendin e merituar në këtë qytet. Jemi mbledhur për të nderuar figurën më të rëndësishme të historisë së re të Kosovës, të përjetësojmë kujtesën, të kujtojmë trashëgiminë, e të zbulojmë figurën e skalitur të presidentit Ibrahim Rugova në bronztë”, tha Gërvalla.

“Po e bëjmë këtë në këtë datë kaq të rëndësishme për Republikën, e kaq domethënëse, në ditën e Kushtetutës së Kaçanikut. Sa domethënëse është vendosja e shtatores së presidentit Rugova pikërisht në qytetin e Podujevës, ku tubimi madhor i tij i pasluftës, u bë pikërisht në këtë shesh”.

Kjo shtatore e Presidentit Ibrahim Rugova në Podujevë, e realizuar si vepër arti nga skulptori Gëzim Muriqi, e pasuron ikonografinë e shesheve tona publike në nderim dhe kujtim për të.

Të ngjashme