Peci e quajti kontrabandim të vullnetit të popullit largimin e Kicës, por kështu nuk e quajtën “transferimin” e Adelina Graincës

Prishtinë | 07 Sht 2022 | 14:51 | Nga Ekonomia Online

Doarsa Kica deri sot deputete e “ Listës Guxo” ka kaluar në Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Ndonëse ajo nuk ka folur ende për kalimin e saj në LDK, largimin e ka konfirmuar indirekt zyrtari i “Listës Guxo”, Faton Peci, njëherësh ministër i Bujqësisë në Qeverinë Kurti.

Peci pas publikimit të lajmit për largimin e Kicës ka publikuar në Facebook një fotografi me Presidenten e Kosovës, e cila para se ta merrte detyrën e të parës së shtetit e kishte themeluar Listën Guxo, pas largimit të saj nga LDK bashkë me kryetaren aktuale Donika Gërvalla-Schwarz, shkruan Demokracia.com.

“Kush synon tjetërsimin apo kontrabandimin e vullnetit të qytetarëve, i bashkohet atyre që janë pjesë e erës së përfunduar në politikë😊”, ka shkruar Peci.

Ndonëse nuk ka folur me emra, ai ka aluduar në deputeten Kica duke e quajtur kontrabandim largimin e saj nga Lista Guxo.

Megjithatë, në ditën kur Kuvendi i Kosovës ia dha besimin Vjosa Osmanit për t’u bërë presidente, ditë kur koalicioni hoqi “të zitë e ullirit” për t’i bërë votat, ata e kontrabanduan deputeten e PDK-së, Adelina Grainca, e cila kishte marrë besimin e votuesve të PDK-së për t’i përfaqësuar si zë i tyre në Kuvend dhe ajo ishte shumë e rëndësishme për kuorumin në zgjedhjen e presidentes Osmanit.

Në atë kohë, lëvizja e saj nuk u quajt kontrabandim nga Lista Guxo dhe nga Lëvizja Vetëvendosje.

Të ngjashme