Për 10 muaj 24 vetëvrasje – Rexhepi: Shkaku i pandemisë numri mund të rritet

Prishtinë | 22 Nën 2020 | 07:56 | Nga Aulona Sylaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Nga muaji janar deri në tetor të këtij viti sipas të dhënave të Policisë së Kosovës janë shënuar 24 vetëvrasje, kurse 83 persona kanë tentuar të bëjnë një akt të tillë.

Përderisa Policia ka bërë të ditur për Ekonomia Online se vitin e kaluar 122 persona kishin tentuar vetëvrasjen, ndërsa 25 kishin bërë vetëvrasje.

Lidhur me këtë çështje neuropsikiatri Sami Rexhepi, në një intervistë për Ekonomia Online ka paralajmëruar rritje të numrit të vetëvrasjeve edhe si shkak i pandemisë.

“Mirëpo çka pas pandemisë? Kur të fillon me u qetësuar pandemia, ne do t’i shohim problemet të cilat pandemia na i ka shkaktuar në aspektin e shëndetit mendor. Duhet thjeshtë të përgatitemi për një valë mjaftë të madhe të problemeve të personave me probleme sa i përket shëndetit mendor. Edhe për shkak të natyrës, zgjatjes së pandemisë pres me pas edhe çrregullime pas stresit traumatik të cilat marrin një karakter kronik më vonë e që do të manifestohet një kohë shumë më të gjatë”.

“Mundet me u rrit edhe numri i vetëvrasjeve, realisht mundet me u prit për shkak se përveç rrezikut të ekzistencës biologjike, izolimi, humbja e vendeve të punës kur të kalon pandemia dhe e shohim se një numër i madh i prindërve kanë humbur vendet e punës. Nuk munden me ofruar atë çka kërkohet prej tyre si prind, nuk shohin një perspektivë për të ardhmen. Jo vetëm punëtorët që kanë humbur vendet e punës por ka edhe shumë persona që kanë humbur bizneset ku kanë pasur investime një kohë më të gjatë. Krejt këto do të manifestohen me probleme në shëndetin mendor e që nuk është e papritur me u rrit edhe numri i vetëvrasjeve”.

Poashtu Rexhepi ka thënë se gjatë kësaj kohe problemet më të shfaqura të shëndetit mendor kanë qenë ankthi, frika dhe forma të ndryshme të depresionit.

“Kohëve të fundit është rritur numri i personave që kanë ankth, që manifestojnë shenja të ankthit. Për çudi në fillim deri në qershor nuk kemi pasur shumë raste të riacarimit të pacientëve klinik. Kjo qendër i mbikëqyrë mbi 1800 klientë që kemi kartela për të gjithë ata. Nuk ka pasur shumë riacarime, tash në këtë kohë është numri më i madh i riacarimeve, po flas për pacientët klinik psikiatrik ndërsa për shkak të mënyrës së funksionimit të klinikës së psikiatrisë dhe shpesh herë kufizimeve të cilat janë shtruar para klinikës kemi pasur edhe raste ambulantore, që janë raste që po manifestojnë më shumë ankthin, frikën, çrregullime obsesivokompulsive edhe formave të ndryshme të depresionit”.

Kurse aktualisht sipas Rexhepit shoqëria kosovare është në një stres kumulativ për shkak se Coronavirsi është marrë si kërcënim i drejtpërdrejt për jetë, raporton EO

“Vetë mbyllja ka ndikuar në një masë të madhe edhe izolimi. Njerëzit duke u frikësuar shumë dhe duke e parë potencialisht secilin person tjetër si rrezik për infektim atëherë janë izoluar dhe më tepër. Nuk është numri shumë i madh fatmirësisht për shkak të forcave kohezive që janë në shoqërinë tonë, familjen tonë dhe shumë rrallë vjen deri tek ajo që vjen dikush me u ndjerë se është plotësisht i vetmuar dhe i pashpresë”.

“Nuk është një dallim i madh i numrit të vetëvrasjeve vitin e kaluar dhe sivjet që më thënë se është pasojë e Covid-it por jemi në një fazë të stresit akut. Në fakt kemi të bëjmë me një stres kumulativ i cili ka filluar prej janarit, por posaçërisht prej marsit deri më tash. I tërë organizmi është i mobilizuar për të bërë një luftë për ekzistencë biologjike për shkak se është marrë si kërcënim i drejtpërdrejt për jetë. Kështu që në atë mobilizim edhe funksionimi ynë emocional është më i mirë”, ka potencuar ai.

Të ngjashme