Për 10 vjet, Kosova e Shqipëria do ta zhvillojnë energjinë e ripërtëritshme – Paralajmërohet shtrenjtim

Prishtinë | 04 Nën 2022 | 12:02 | Nga Gzim Mujaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Instituti Riinvest ka mbajtur diskutimin me temën “Strategjia e energjisë e Republikës së Kosovës”, në kuadër të serisë së debateve “Green Talks”, raporton Ekonomia Online.

Në këtë diskutim, ku morën pjesë ekspertë të fushës, aktivistë të shoqërisë civile e organizata ndërkombëtare, u diskutua rreth draft strategjisë së energjisë në kontekstin aktual dhe karshi zotimeve që dalin nga Agjenda e Gjelbër e Ballkanit Perëndimor.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se në Kosovë është hera e parë që është duke u diskutuar hapur për energjinë, duke shtuar se strategjia parasheh prodhimin e së paku 1 400 megavat të energjisë së ripërtrishme.

Ajo shtoi se Komisioni Evropian ka ndarë 75 milionë euro për Kosovën për fushën e energjisë, e cila sipas saj, është shifra më e lartë për kokë banori në rajon.

Ministrja Rizvanolli, po ashtu tha se së shpejti pritet nënshkrimi i një memorandumi në fushën e energjisë me Greqinë, mirëpo kjo ende nuk është konfirmuar zyrtarisht.

Ajo më tej tha se për zhvillimin dhe rritjen e kapaciteteve prodhuese të energjisë elektrike, synohen teknologjitë e reja, të cilat nuk kanë ndikime ambientale dhe duke mos krijuar varshmëri nga prodhimi i energjisë nga thëngjilli.

Ajo po ashtu tha se sistemet akumuluese të energjisë elektrike, do të jenë të rëndësishme për stabilitetin energjetik në vendin tonë.

“Për herë të parë kemi pasur një proces të hapur nga fillimi deri në fund, në fund të majit i kemi mbledhur akterët, që mund të kontribuojnë në këtë diskutim për strategjinë. Më kanë thënë se në Kosovë është hera e parë që po diskutohet hapur për energjinë. Mbi 20 diskutime janë bërë deri tash”.

“Nga të gjitha këto takime konsideroj që kemi një vizon dhe objektiva strategjike që ka pajtime për të cilat ka pajtueshmëri të larët. Vizioni është ambicioz, strategjia parasheh ndërtimin e së paku 1 400 megavat të energjisë së ripërtërishme. Plani është që të bëhen investime në Kosovën B, në Kosovën A, por nevojiten investime më të thella. Duhet të sigurohemi që të kemi një sasi të madhe të burimeve tona që të mos varemi nga të tjerët. Integrimi në fushën e energjisë me Maqedoninë dhe Greqinë, së shpejti presim nënshkrimin e një memorandumi në fushën e energjisë me Greqinë, mirëpo që kjo ende nuk është konfirmuar zyrtarisht”.

“Në fushën e efiçiencës së energjisë e kemi pasur një histori shumë të hidhur, e cila ka qenë një fushë ku ka lulëzuar krimi i organizuar. Në dhjetor synojmë që të lansojmë ankandin e parë për energji solare ndërsa vitin tjetër për atë të erës. Komisioni Evropian ka ndarë 75 milionë euro për Kosovën e cila që është shifra më e lartë për kokë banori në rajon. Nga shteti gjerman kemi ofertën që të fillojmë një partneritet për energjinë”, tha ajo.

Burim Ejupi, drejtor i Institutit për Politika Zhvillimore (INDEP), tha se strategjia e energjisë e Republikës së Kosovës është më e mira deri më tani.

Ai shtoi se rryma duhet të shtrenjtohet dhe se INDEP-i si organizatë është duke e përgatitur opinionin publik për këtë çështje.

“Më në fund po ndodh tek në diçka që nuk ka ndodhur pra diskutimi për strategjinë për energjinë, ajo që është me rëndësi është që në fund ajo që ka dalë është ambicioze dhe ne e kemi quajtur strategjia më e mirë që ka ndodhur në Kosovë. Vetëm që duhet që pak të përshpejtohet, sepse disa projekte që kanë qenë shumë të mira ka mbetur pengë i disa donacioneve. Ky 6 milioni tregoi që qytetarët janë të gatshëm që të investojnë në energji, paramendo po të ishte 60 milionë euro”.

“Nuk e kam parë buxhetin, por nëse është 6 milionë euro është pak. Për dallim nga vendet e Ballkanit, tek ne fondi është duke u zhvilluar. Rrymën kemi mundësi ta kursejmë, një që duhet ta kemi parasysh është që do t’i kemi tarifat e reja, dhe ne jemi duke e përgatitur opinionin publik se rryma duhet të shtrenjtohet. Ajo duhet të shtrenjtohet, por që të ketë faza që janë të përballueshme”, tha ai.

Fadil Hoxha, nga Jaha Company, fabrikë që prodhon panele solare, tha se është i lumtur shumë që kompania ka arritur të mbijetojë.

Ai shtoi se sa i përket kapaciteteve teknologjike, Kosova është në nivelin më të lartë se sa Gjermania.

Hoxha tha se për 10 vjet pret që Kosova dhe Shqipëria ta zhvillojnë energjinë e ripërtrishme.

“Neve na kanë pyetur se a keni njerëz që do t’i përdorin këto panele sepse atëherë nuk ka pasur plane se si të instalohen. Po lexoj gjëra shumë të mira që po e presin vendin tonë. Gëzohem shumë si investitor dhe jam i lumtur shumë që kompania ka arritur që të mbijetojë dhe po i vjen një perspektivë e qartë dhe më e mirë se sa ka qenë më herët”.

“Kur flasim për kapacitete teknologjike, ne jemi në nivelin më të lartë se të Gjermanisë, pasi që Gjermania nuk është më prodhuese shumë e madhe e paneleve solare dhe llogaritemi si 7 prodhuesit më të mëdhenj. Unë e shoh si potencil të jashtëzakonshëm Kosovën dhe Shqipërinë që do të zhvillojë energjinë të ripërtrushme, jo më larg se 10 vite do të jemi krenar siç kemi qenë në kohët e arta të thëngjillit. Energjia solare është me e lira, tani jemi nën 2.5 cent ose nën 25 euro për prodhim të energjisë, me ngritje të çmimeve, çmimi do të bije edhe më shumë”, tha ai.

Të ngjashme