Për 10 vjetorin e Pavarësisë organizohet marsh i vrapimit në fshatrat e Drenasit

Drenas | 12 Shk 2018 | 16:53 | Nga

Kryetari i Komunës së Drenasit, ka pritur sot në takim, përfaqësuesit e Asociacionit Kosovar për Vrapim Malor (Kosova Trail Running Association – KTRA) me të cilët ka mirëpritur implementimin e projektit për vrapim në territorit të Komunës së Drenasit ne moton “Shtegu i Shpresës”, transmeton Ekonomia Online.

Në këtë takim, ishin Elida Ramadani –O’Conell, Arineta Mula dhe Uragan Alija. Sipas një komunikate nga Komuna e Drenasit, në kuadër të këtij takimi, janë dakorduar që për nder të 20 vjetorit të luftës për çlirimin e Kosovës dhe 10 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë të organizohet ky marsh i vrapimit 100 kilometërsh, në fshatrat e Komunës së Drenasit dhe të Skenderajt, me datën 3 dhe 4 mars.

“Nën moton “Shtegu i Shpresës: I kujtojmë të gjithë”, KTRA dhe Komuna synon të përkujtojë sakrificën e madhe të qytetarëve të Kosovës për lirinë e brezave të ardhshëm të saj dhe ndërtimin e shtetit të pavarur të qëndrueshëm.

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci ka mirëpritur këtë projekt, po ashtu i ofroji gatishmëri për t’i dhënë në dispozicion ekipin shëndetësor dhe stafin policor gjatë realizimit të këtij marshi të vrapimit.

Ndërsa drejtoresha e KTRA-së, Arineta Mula, tha se duke vrapuar përgjatë këtyre fshatrave ne do të përkujtojmë sakrificën sublime që u bë që ne të jetojmë në liri dhe paqe”, thuhet në komunikatë.

Shtegu i vrapimit përfshinë ngritjen prej 2000 metrash dhe fillon në Prekaz te kompleksi përkujtimor “Adem Jashari” për të vazhduar në Likoshan, Abri dhe Baicë.

Ky vrapim njëherit shënon aktivitetin e parë të këtij lloji të organizuar në Kosovë dhe synon që Kosovën ta vendosë në hartën turistike.

 

Regjistrimi për vrapim “Shtegu i Shpresës” tashmë është hapur dhe për informata me të hollësishme rreth regjistrimit, ju mund të vizitoni faqen e KTRA; www.ktra-ks.com.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme