Për 8 Mars, Naim Fetahu iu premton grave në Podujevë 50 për qind të posteve drejtuese

Podujevë | 08 Mar 2020 | 13:35 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kandidati për kryetar të Komunës së Podujevës nga Partia Demokratike e Kosovës, Naim Fetahu, ka zgjedhur pikërisht 8 Marsin – Ditën Ndërkombëtare të Gruas, për të paraqitur programin e tij për gratë.

E shoqëruar nga gra deputete të PDK-së, Fetahu ka thënë se gjendja e grave në Podujevë nuk është e mirë, raporton Ekonomia Online.

Fetahu premtoi mbështetje të parezervë për të gjitha gratë. Ai veçoi hapjen e çerdheve, gjë që sipas tij do të mundësojë vende të punës për gratë dhe ngritjen e tyre profesionale.

Fetahu garantoi që në udhëheqjen e tij, 50 për qind e posteve do t’iu jepen grave.

“Sot është një ditë e veçantë – 8 Marsi. Uroj që të shërbej për gratë për luftimin e të drejtave të tyre. Ne do të angazhohemi dhe do të japim maksimumin për barazi dhe do të mbështesim në të gjitha proceset që kanë të bëjnë me gruan. Gratë e kanë përdorur këtë ditë për të dhënë maksimumin për barazi dhe ne do të mbështesim. Gjendja në Podujevë nuk është e mirë , nuk është në vendin e vet. Në kuadër të programit që kamë paraparë rol të veçantë për gruan me udhëheqjen time do të zgjedh 50/50”, tha Fetahu.

Mes tjerash, Fetahu premtoi se do të mbështes edhe gratë në biznes si dhe bizneset e reja.

“Gratë do të kenë mbështetje edhe në biznes, do të bëjmë maksimumin për ti mbështetur ato biznese por edhe bizneset e reja në Podujevë. Ne do të bëjmë komunën më mirë,pasi qytetarët meritojnë më mirë. Në Podujevë ekziston vetëm një çerdhe dhe gratë nuk kanë se ku ti dërgojnë fëmijët e tyre, ne do të punojmë në ndërtimin e çerdheve dhe në këtë mënyrë do të mundësohet vende të punës për gratë dhe ngritjen profesionale të tyre. Pa grat ne nuk mund të dalim të suksesshëm”, u shpreh Fetahu.

Nën shoqërimin e kryetarit ishin edhe deputetët e Kuvendit të Kosovës, Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, potencoi se PDK ka program specifik për gruan, pasi siç tha ajo është dekurajuese mospërkrahja e gruas në këtë komunë.

“Sot jemi në Podujevë për të shpalosur objektivat e PDK-së me kandidatin tonë. Ka një program specifik për çështjen e gruas. Në përfshirjen 50 përqind do të garantoj përkrahje dhe stimulim të grave. Gratë më herët nuk kanë pasur mbështetjen e komunës, dhe kjo është dekurajues. Andaj është e rëndësishme që PDK ka paraparë që përveç çerdheve të ketë edhe ngritje profesionale për pasur një mirëqenie të mirë”, tha Deliu.

Deputetja e PDK-së, Besa Ismaili, theksoi se programi i PDK-së është formuar nga rrëfimet e grave të diskriminuara e të cenuara në Podujevë.

“Kam dëgjuar gjëra të çuditshme nga gratë në Podujevë me një qasje të cenuar dhe të diskriminuar kudo. Jemi munduar të marrim pikëpamjet e tyre se si do të korrigjohen dhe kemi një program. Ato kanë pasur ankesë për mospërfshirje nga qeverisjet e kaluara”, u shpreh Ismaili.

Të ngjashme