Për herë të parë në 30 e kusur vjet, dikush kaq i lartë në BE po thotë Serbia s’ka faj, ka faj Kosova

Prishtinë | 21 Nën 2022 | 21:29 | Nga Adriatik Kelmendi

U mbytëm duke e sha Borrellin. E meriton! Por çështja është se si e sollëm punën që në fund drejtësinë të na ndajë Borelli?!

Para se të na zinte në qoshe, 5 minuta para orës 12, aty ku edhe ka synuar, ne u kujdesëm që t‘ia çonim peshë nervat SHBA-së, Gjermanisë e Francës. Pse u vonuam, pse u vetizoluam?!

Mandej lehtë e ka Borrelli të lajë lesh në ne. Problemi është që ai e bën këtë nga pozita e Komisionerit të Lartë për Siguri dhe Politikë të Jashtme të BE-së në kontekstin e një Evrope të rrezikuar nga lufta që Rusia po e bën në Ukrainë.

Borrelli po e luan në stilin – unë po dua paqe në Evropën e kërcënuar dhe Kosova s’po na lejon.

Ne e dimë që faji është te Serbia, por së paku sot Serbia e ka bindur një person shumë të rëndësishëm në Evropë se faji është te ne.

Ndoshta për herë të parë në këto 30 e kusur vjet, dikush kaq i lartë në BE po thotë Serbia s’ka faj, ka faj Kosova.

Përnjëherë Serbia që ka nxitur 4 luftra, ka vrarë e ka dhunuar e ka djegur, që lartëson të dënuarit për krime lufte nga Haga, Serbia gjenocidale të shihet si konstruktive, kurse ne viktimat e politikës së saj, si të papërgjegjshëm.

Ne mund të vajtojmë sa të duam, ta tregojmë të vërtetën tonë, të drejtën dhe ligjshmërinë tonë, por në fund të mbetemi fajtorë.

Të mos harrojmë, ne kemi fituar kur Perëndimi e kishte kuptuar se Serbia është problemi.

Sot po qortohemi! E dhimbshme, e padrejtë, por e vërtetë.

Të ngjashme