I kërkohet të paguajë tatim për pronën që s’është e tij

Prishtinë | 16 Sht 2016 | 11:41 | Nga

Nga paslufta qytetarët e Republikës së Kosovës përballen me probleme të ndryshme që kanë të bëjnë me pronën.

Me një problem të tillë po përballet edhe qytetari i Prishtinës, Bajram Mustafa, i cili thotë se tash e tri vjet një pronë figuron në emër të familjes së tij, por që nuk është e tyre.

Ai thotë se nuk mund të paguaj tatimin për një pronë që nuk është e tyre, megjithëse kjo po iu bën problem në marrjen e dokumenteve në komunë kur ato iu nevojiten.

Bajram Mustafa i ka thënë Telegrafit se një lokal i cili paraqitet në emrin e babait të tij (Sylejman Adem Mustafa) nuk është pronë e familjes.

Ky lokal thuhet se është në lagjen Dardania, por Mustafa e mohon se është pronë e tij dhe për më tepër thotë se as zyrtarët nuk e dinë vendndodhjen e saktë të këtij lokali.

Ky lokal është në emër të një Sylejman Mustafës, por për të cilin nuk figuron data e lindjes dhe as të dhëna tjera personale.

Djali i Sylejman Adem Mustafa, Bajram Mustafa thotë se sa herë që duhet të nxjerr një dokument në komunën e Prishtinës atij i del tatimi i pa paguar i këtij lokali, e që thotë se ky lokal nuk është i tyre, por mund të jetë i një njeriu tjetër me të njëjtin emër.

Për më tepër as zyrtarët e komunës sipas tij nuk e dinë vendndodhjen e këtij lokali. Kjo çështje sipas Bajram Mustafës ka tri vite që është duke ndodhur.

Sipas tij, ai ka bërë ankesë në komunë dhe gjithashtu ka kërkuar informatë shtesë në lidhje me këtë.

“Komuna e ka refuzuar ankesën time pa pas prova që lokali është i yni, hala ma keq as vetë nuk e dinë kush është dhe s’kanë adresë të personit apo nëse ekziston në të vërtetë. Shumë ankesa dhe vetëm një refuzim burokratik”, tregoi shqetësimin e tij Mustafa.

Ai thotë se gjendet në qorrsokak pasi s’ka ku të ankohet më.

“Rasti i fundit ishte kur s’janë kanë lëshuar gruas fletën poseduese… Kam qenë në polici për ankesë por nuk e kanë hapë rastin. Kam qenë edhe te avokati i popullit. Këto probleme që po më shkaktohen janë si paaftësi ose burokraci e komunës. Ma e keqja sot ende s’kam zgjidhje. Situata ka qenë e tensionuar shumë herë që kam qenë atje me zhurma, por prapë pa zgjidhje”, ka thënë ai për Telegrafin.

Ndërkaq, zyrtarët e informimit të komunës së Prishtinës kanë thënë për Telegrafin se të dhënat mbi pronën dhe tatimpaguesin janë marrë sipas anketimit në teren.

Sipas komunës së Prishtinës shumica e këtyre lokaleve, në këtë lokacion janë të mbyllura dhe anketuesit e kanë të pamundur të marrin informacione për tatimpaguesit që e kanë shfrytëzuar në vitin tatimor 2002.

“Dihet që shumica e pronave gjatë kësaj periudhe kanë qenë të uzurpuara, përkundër thirrjeve që i janë lënë në pronë, që të paraqiten në Zyrën komunale të tatimit në pronë, për të plotësuar të dhënat mbi tatimpaguesin”.

Më poshtë lexoni përgjigjen e plotë të Komunës së Prishtinës për Telegrafin në lidhje me këtë problematik:

“Ju sqarojmë se, prona komerciale me destinim afarizëm me sipërfaqe prej 28m2, e cila gjendet në Prishtinë, Dardania U 39, Qendra zejtare, (te posta e re), është ngarkuar me tatim në pronë me tatimpagues Sylejman Mustafa, sipas formularit me të dhëna të datë 26.07.2002, dhe sipas këtij formulari prona është e lirë (zbrazët).Sipas nenit 4 të ligjit bazik Nr.03/L-204, datë 07.10.2010, ndër të tjera, thuhet se tatimi në pronë vendoset mbi tërë pronën e paluajtshme në Kosovë.

Si dhe sipas dispozitave të nenit 5 të këtij ligji para së gjithash caktohet tatimpagues pronari, shfrytëzuesi i ligjshëm i pronës, e në rast se nuk gjinden pronari dhe shfrytëzuesi i ligjshëm i pronës tatimpagues caktohet personi fizik apo juridik i cili e shfrytëzon pronën. Vendimi i tillë nuk i jep kurrfarë të drejtash shfrytëzuesit lidhur me të drejtën e pronësisë.

Andaj edhe në bazë të këtij neni komuna e Prishtinës ka regjistruar pronën në fjalë sipas formularit të cekur më lartë.

Për rastin në fjalë, të dhënat mbi pronën dhe tatimpaguesin janë marrë sipas anketimit në teren, sipas nenit 4 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1, të Udhëzimit Administrativ Nr.03/2011 për mbledhjen dhe regjistrimin e informatave mbi pronën dhe tatimpaguesin.

Për pronën në fjalë anketuesit në teren kanë dal në vendngjarje disa herë dhe kanë konstatuar se prona gjendet në Qendrën zejtare në Dardani(te posta e re ). Shumica e këtyre lokaleve, në këtë lokacion, janë të mbyllura dhe anketuesit e kanë të pamundur të marrin informacione për tatimpaguesit që e kanë shfrytëzuar në vitin tatimor 2002, pasi që dihet shumica e pronave gjatë kësaj periudhe kanë qenë të uzurpuara, përkundër thirrjeve që i janë lënë në pronë, që të paraqiten në Zyrën komunale të tatimit në pronë, për të plotësuar të dhënat mbi tatimpaguesin.

Andaj ju njoftojmë se palës, Syleman Mustafa, si dhe rasteve të ngjashme, Drejtoria për financa, Zyra komunale e tatimit në pronë, Komuna Prishtinë, gjithmonë i ofron shërbimet e kërkuara, por gjithnjë duke e verifikuar të dhënat mbi pronën dhe tatimpaguesin në fjalë e pastaj do ti kryhen këto shërbime”.

Telegrafi.com po ashtu kontaktoi edhe zëdhënësen e policisë së Kosovës në komunën e Prishtinës, Flora Ahmeti e cila tha se ky rast s’ka të bëjë me policinë, personi duhet ta zgjidh problemin e tij me komunën e Prishtinës.

1

2

3

4

5

6

7

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme