Përfaqësuesja e studentëve shpreh mirënjohje për Thaçin, publiku “shpërthen” me duartrokitje

Prishtinë | 06 Mar 2024 | 14:49 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetarja e Parlamentit Studentor të Universitetit të Mitrovicë “Isa Boletini”, Njomza Gashi, pati mirënjohje për ish-kryeministrin Hashim Thaçi, për të cilin tha se pa vendim të tij, Mitrovica nuk do të kishte Universitet, raporton Ekonomia Online.

Në 11-vjetorin e themelimit të këtij Universiteti, të pranishëm ishin kryeministri Albin Kurti, ministra të kabinetit qeveritar, e kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza.

“Pa vendimin e ish-kryeministrit Hashim Thaçi, ne nuk do ta kishim Universitetin ‘Isa Boletini’ në Mitrovicë”, tha Gashi.

Përmendja e Thaçit, i cili aktualisht po përballet me drejtësinë në Hagë, bëri që shumë të pranishëm të ngriten në këmbë dhe duartrokasin.

Në vazhdim, kryetarja e Parlamentit Studentor foli edhe për mundësitë që i ofron ky Universitet, duke përmendur konviktin dhe mensën.

“Ne kemi një kampus qe ofron mundësi të jashtëzakonshme, kemi kushte komode për studim, ndërsa tani së shpejti presim qe të funksionalizohet edhe konvikti dhe mensa. Sigurisht se këto kushte janë motiv shtesë për ne si studentë. Ne jemi me fat qe kemi këto mundësi, me qe një fat të tillë nuk e kishin shume gjenerata para nesh. Për më keq ata përndiqeshin dhe vriteshin, sikur Selman Vojvoda, që ishte shndërruar në simbol të studenteve shqiptarë të asaj kohe. Më vonë ishin gjeneratat e tjera të guximshme të studentëve, si Mehë Uka e Artim Jashari, te cilët u rreshtuan në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha ajo.

“Ishin edhe shume të tjerë që ndoqën shtigjet e Komandantit Legjendar, Adem Jashari, për ta ndërtuar Epopenë e Ushtrisë Çlirimtare te Kosovës. Ishin edhe shume të tjerë qe ranë për ta bërë Kosovën dhe për të krijuar rrethana qe ne të jetojmë të lirë, të studiojmë të lirë dhe pa frikë në universitetet tona. Jemi mirënjohës për secilin. Gjithashtu nuk guxojmë t’i harrojmë disa momente kyçe në jetën e universitetit tone, duke pasur parasysh sfidat me te cilat përballeshin gjeneratat para nesh. Pa vendimin e ish-kryeministrit Hashim Thaçi, nuk do ta kishim Universitetin ‘Isa Boletini’ në Mitrovicë, prandaj shprehim respekt të dhe gjithë çlirimtarët tjerë që padrejtësisht po mbahen në Hagë”, tha tutje ajo.

Të ngjashme