Skena ku po fliste Agim Bahtiri është kapluar nga flakët, nga fishekzjarrët të cilat u përdorën gjatë tubimit zgjedhor të AKR-së në Mitrovicë.
Pas disa sekondash “pështjellimi”, disa persona përfshirë pjesëtarë të sigurimit kanë intervenuar dhe me mjete rrethanore e kanë shuar zjarrin.
Kështu u evitua ndonjë incident më madh, pasi palestra sportive ishte pothuajse përplot e mbushur me simpatizantë të AKR-së.
Sikur shihet dhe në video, nuk është përdorur ndonjë pajisje për fikjen e zjarrit që do të duhej të ishte në një vend ku mblidhen kaq shumë njerëz.
Gjatë incidentit, Bahtiri është munduar ta ruajë qetësinë, madje nuk është as nga bina. E spikerja, para se ta ftonte Pacollin në skenë, tha se bina mori flakë nga fjalimi “i zjarrtë” i kryetarit Agim Bahtiri.
Pacolli: Bahtiri është alternativa e vetme për Mitrovicën
Në kuadër të Fushatës elektorale për Zgjedhjet Lokale 2017, Aleanca Kosova e Re ka bërë sot prezantimin e kandidatëve për kryetar për Komunën e Mitrovicës.
Tubimi solemn i ceremonisë hapëse të Fushatës në Mitrovicë, ishte i mbushur me përkrahës dhe simpatizantë të shumtë të AKR-së, ndërsa i pranishëm ishte edhe presidenti i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, i shoqëruar nga sekretari i përgjithshëm Vesel Makolli, ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Albena Reshitaj, si dhe zyrtarë të tjerë të lartë të AKR-së.
Duke e përgëzuar kryetarin Agim Bahtiri për punën dhe përkushtimin e tij, Pacolli tha se puna dhe angazhimi i Bahtirit flasin bindshëm, “Agim Bahtiri do të vazhdojë punën për t’a jetësuar ëndrrën tonë për një Mitrovicë të bashkuar”, ka thënë Pacolli.
Zëvendëskryeministri i Parë i Kosovës, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme, iu ka bërë thirrje mitrovicasve që ta votojnë Agim Bahtirin si kryetar të Mitrovicës sepse sipas Pacollin ai është alternativa e vetme për zhvillimin e Mitrovicës.
“Mos e lëshoni këtë shanse kur ka ardhë momenti që Mitrovica të zhvillohet dhe të bëhet një qytete me dinjitet. Mbështeteni Agimin fuqishëm sepse sot për sot është alternativa e vetme, është njeriu i vetëm që programet e tij do ti qojë përpara”, ka theksuar Pacolli.
Ai ka thënë se ndër prioritete e AKR-së në Mitrovicë do të jetë Trepça.
“Ne me Agimi kemi pas disa ëndrra me i realizu këtu , me ja kthye bukurinë këtij qyteti. Nuk e di cili qytet është më mirë se Mitrovica. Kemi një qytet të rregulluar, nënat me fëmijët e tyre mund të lëvizin lirshëm e sigurtë. Agimi krijoj qendra tregtare, qendra sportive, Agimi fillojë ndërtimin e parkut industrial. Ne filluam të punojmë edhe një rihapjen e minierave të Trepçës. Unë nuk di se kush ka kontribuuar ma shumë se Agimi me bashkëpunëtoret e tij. Trepça është në rendin e parë që do të trajtohet”, ka thënë Pacolli.
Bahtiri: E kemi bërë Mitrovicën europiane, edhe pëllumbat kanë zbritur
Ndërsa, kreu i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, i cili synon edhe një mandat të kryetarit, është zotuar se Mitrovica do të ketë zhvillim të hovshëm ekonomik.
Ai ka shtjelluar pikat e programit të AKR-së, ku fokus të veçantë i dha zhvillimit ekonomik, arsimit, shërbimeve shëndetësore, si dhe të infrastrukturës.
Ai mes tjerash tha se Mitrovicën nuk e bashkon dhuna e patriotizmi, por zhvillimi ekonomik. “Kemi takuar shumë qytetarë nëpër qytete e fshatra. Nuk kam lënë rrugë pa vizituar e qytetar pa takuar për të bërë se bashku programin. Mitrovica nuk bashkohet me dhunë e patriotizëm por bashkohet me zhvillim ekonomik. Kjo do të ndodhë dhe do të shihni si do të lulëzojë Mitrovica”, tha Bahtiri.
Ai, më tutje, u shpreh se para katër vitesh e kishte gjetur Mitrovicën te tensionuar me 15 mijë banorë të shpërngulur. “Dhe këto ne i kemi eliminuar. Sot kemi një qytet me ndryshe. Se me punë sot e kemi një Mitrovicë europiane ku edhe pëllumbat kanë zbritur në të”, deklaroi Bahtiri.