Aktgjykimi ndaj Adem Grabovcit, Besim Beqajt, Zenun Pajazitit dhe të tjerëve në rastin “Pronto”, do të shpallet më 3 janar 2020.
Kjo datë për shpalljen e aktgjykimit në këtë rast është caktuar pasi që të hënën, në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka përfunduar gjykimi, ku palët në procedurë kanë dhënë fjalët e tyre përfundimtare.
Në këtë rast për veprën penale “shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në bashkëkryerje”, po akuzohen ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci, ish-ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, ish-deputeti i PDK-së, Zenun Pajaziti, dhe tetë të akuzuar të tjerët, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Pasi kanë përfunduar fjalët e tyre përfundimtare Adem Grabovci, Besim Beqaj,, Nijazi Kryeziu së bashku me mbrojtësit e tyre, në seancën e së hënës fjalën përfundimtare e kanë dhënë edhe gjashtë të akuzuarit e fundit.
Mbrojtësi i të akuzuarit Ilhami Gashi, avokati Gzim Kollqaku ka thënë se të gjitha provat të cilat ishin administruar gjatë shqyrtimit gjyqësor kishin vërtetuar se aktakuza ishte ngritur me prova të papranueshme, të cilat sipas tij, nuk ishin dashur të futen në këtë aktakuzë.
Ai tha se sikurse prokuroria të kishte pasur prova të tjera, mund të kishte dhënë një tjetër kualifikim juridik nga kapitulli i shkeljeve të marrëdhënieve të punës dhe sipas tij, i vetmi veprim që e kishte bërë i mbrojturi i tij ishte formimi i një komisioni të cilin edhe sipas detyrës zyrtare kishte qenë i obliguar që ta formonte.
Prandaj në mungesë të provave, ai ka kërkuar nga trupi gjykues aktgjykim lirues për Ilhami Gashin.
Ndërsa, i akuzuari Gashi ka thënë se bisedat mes tij dhe të akuzuarit Grabovci kishin qenë shoqërore.
“Për mua është fyerje që të thuhet se ka ndikuar, unë kam identitet dhe argumentet të cilat i prezantoi avokati janë edhe qëndrimet e mija, atë që e kam thënë në bisedë telefonike që nuk është menaxher në atë detyrë e kam vërtetuar edhe me nota ngase ne kemi qenë komision vlerësues sepse ne e dërgojmë propozimin me 3 konkurrentë që kanë pasur poentë më të lartë përmes Ministrisë së Administratës Publike dhe të tre emrat kanë shkuar në Qeveri e cila ka bërë përzgjedhjen, ku ekziston këtu keqpërdorimi i detyrës zyrtare, edhe për kandidatin e dytë procedurat janë të njëjta, kurrë në jetë nuk kam interferuar te komisionet”, ka thënë i akuzuari Gashi.
Mbrojtësi i Zenun Pajazitit, avokati Ekrem Hoxha ka thënë se prokuroria kishte dështuar të sjellë ndonjë provë të vetme dhe se kishte dështuar të vërtetojë të vetmin veprim që të akuzuarit e kishin bërë me dashje direkte.
Ai insistoi nga gjykata që të deklarohet për prova se ishin ë ligjshme apo të paligjshme ngase sipas mbrojtjes ishin të paligjshme, ku sipas avokatit të akuzuarit një kohë të gjatë ishin në një procedurë gjyqësore për lirinë e shprehjes e cila ishte e drejtë e garantuar me ligj dhe Kushtetutë dhe se askush nuk mund t’ia mohojë askujt.
Për këtë arsye, ai për të mbrojturin e tij, Zenun Pajazitajn ka kërkuar aktgjykim lirues.
“Ndihem i pafajshëm dhe më vjen keq që jam në këtë proces që ka pësuar dëm publik, e kam shfrytëzuar përvojën dhe autoritetin tim, si dhe përgjegjësinë time publike mos me fol, unë besoj shumë se ju do ta kryeni punën tuaj në përputhje më ligjin dhe besoj se të gjitha rrethanat tjera të një far lloj presion publik mund të duken të arsyeshme për shkak të gjendjes në vendin tonë, por pavarësisht unë mendoj se ju do ta kryeni punën tuaj pa asnjë presion të mundshëm”, ka thënë në fjalën përfundimtare i akuzuari Pajazitaj.
Mbrojtësi i të akuzuarit Fatmir Shurdhaj, avokati Emrush Kastrati tha se aktakuza ishte ndërtuar në kundërshtim me vetveten dhe si e tillë ishte mbështetur në disa prova të cilat sipas tij kishin qenë publike dhe të cilat edhe më herët i kishte pasur në dispozicion organi i akuzës.
Ai tha se në asnjë moment gjatë kësaj procedure, i mbrojturi i tij nuk kishte marrë pjesë as në hapjen e konkursit, seleksionimin dhe as intervistimin e kandidateve.
“Çka veproj i mbrojturi im në mënyrë të kundërligjshme nëse pasa pasur një bisedë të thjeshtë më Grabovcin se X personi është person i mirë, a do të thotë kjo se ne të ruhemi në jetën e përditshme që të mos e shprehim një opinion apo diskutim pa ndërmarrë veprim procedural pa i shkaktuar dëm askujt, kjo është e pafalshme për faktin se nëse nisemi nga këto hipoteza se deklarimet verbale ti sanksionojë penalisht nuk besoj se ky trup gjykues do i pranojë”, ka thënë avokati Kastrati.
Avokati Mahmut Halimi, mbrojtës i të akuzuarit Sadat Gashit ka thënë se nuk mund të ndiqet penalisht dikush interesohet për një njeri se çfarë ngritje profesionale kishte dhe sipas avokatit Halimi në asnjërën prej përgjimeve nuk përmendet që ti jepet përparësi dikujt, prandaj sipas tij nuk kishte shkelje ngase nuk kishte informata se dikush nga kundër kandidatët kishte kundërshtuar një vendim i tillë.
Mbrojtësi i Ismet Neziraj, avokati Gafurr Elshani ka thënë se prokuroria nuk kishte ofruar prova materiale me të cilat mund të dëshmonte se i mbrojturi i tij kishte kryer veprën penale.
Ai tha se provat e siguruara nga EULEX-i për aplikimin e masave të fshehta ishin të papranueshme pasi ishin bërë me aktvendim për fillim të hetimeve për një çështje tjetër penale, por hetimi ishte pushuar për arsye se prokuroria nuk kishte gjetur elemente të veprës penale.
“Prokuroria e ka sajuar një vepër për të krijuar në mënyrë të kundërligjshme afatet e reja kohore për ti akuzuar për shkelje të ligjit për ndërmarrje publike, aktakuza është ngritur në bazë të shqetësimeve mediatike e jo në bazë të ligjit”, ka thënë avokati Elshani.
Ndërsa, i mbrojturi i tij, i akuzuari Ismet Neziraj pos që ka mbështetur fjalën e tij përfundimtare ka thënë se ishte i pafajshëm dhe se ai gjatë gjithë jetës së tij ishte përpjekur të mos ia shkelë të drejtat askujt.
I akuzuari Rexhë Abazi ka thënë se në këtë proces gjyqësor kishin munguar faktet dhe dëshmitë e ofruara nga prokuroria.
Ai tha se askund nuk cilësohet si vepër penale komunikimi me një mik për çështje personale dhe sipas tij ky komunikim nuk mund të përmbaje elemente të veprës penale.
“Koha kur unë kam biseduar me Grabovcin ka qenë periudhë kur unë nuk e kam ushtruar detyrën e zyrtarit publik, prokurorja është dashur me ditë se në momentin kur shpallet konkursi i bordeve atyre iu pezullohet funksioni dhe në me rastin e vazhdimit të mandatit nga qeveria nuk kemi shkuar në zyre te Hidro-Drinit, derisa na ftuar zyrtarisht administrata e kompanisë duke na njoftuar se na ka vazhduar mandati dhe se prapë jeni anëtar të bordeve”, ka thënë ai.
I akuzuari Xhavit Dakaj dhe e akuzuara Arbenita Pajazitaj ia dorëzuan gjykatës fjalën përfundimtare me shkrim.
Ndryshe, në këtë seancë ishte paraparë të dëgjoheshin dëshmitarët Fitim Krasniqi dhe Nuredin Krasniqi të cilët ishin propozuar nga mbrojtësi i Grabovcit, avokati Florent Latifaj dhe mbrojtësi i Beqajt, avokati Besnik Berisha.
Mirëpo, pasi të njëjtit nuk kishin qenë prezent në gjykata, avokatët Latifaj dhe Berisha kishin hequr dorë nga dëgjimi i këtyre dëshmitarëve ndërsa seanca kishte vazhduar me dhënien e fjalës përfundimtare.
Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Shashivar Hoti njoftoi se shpallja e aktgjykimi do të bëhet me 3 janar 2020, në ora 09:00.
Ndryshe, në maj të këtij viti, Gjykata e Apelit ka refuzuar ankesat e avokatëve mbrojtës, duke e lënë kështu në fuqi aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK).
Sipas vlerësimit të Gjykatës së Apelit, në aktvendimin e kundërshtuar, gjykata e shkallës së parë, ka dhënë në mënyrë të mjaftueshme për këtë fazë të procedurës penale, arsye lidhur me dyshimin e bazuar mirë, rreth provave të kundërshtuara, dhe se drejt ka vërtetuar se ekzistojnë prova të mjaftueshme të pranueshme në aspektin ligjor-procedural, për të vazhduar më tutje. Sipas Apelit, se a do të vërtetohet fajësia e tyre, mbetet të shqyrtohet gjatë fazave të ardhshme të procedurës penale dhe shqyrtimit kryesor të çështjes, e që në këtë fazë të procedurës penale fajësia nuk mund të supozohet as nga gjykata, e as nga palët.
Gjykata Themelore në Prishtinë, më 3 prill 2019, e kishte konfirmuar aktakuzën ndaj Adem Grabovcit, Besim Beqajt, Zenun Pajazitit dhe të tjerëve në rastin e njohur “Pronto”, pasi që kishte refuzuar kërkesën e mbrojtjes për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.
Ndryshe, në seancën që ishte mbajtur më 4 shkurt 2019, mbrojtja e të akuzuarve Adem Grabovci, Besim Beqaj, Zenun Pajaziti dhe të tjerëve në rastin e njohur “Pronto”, e kishte kundërshtuar aktakuzën.
Kurse, në seancën fillestare të mbajtur më 15 nëntor 2018, të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm.
Në mesin e 11 të akuzuarve janë, ish-shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, ish-ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, deputeti aktual i PDK-së, Zenun Pajaziti, ish-kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Prizrenit, Nijazi Kryeziu, ish-shefja e Njësisë për furnizim në Ministrinë e Shëndetësisë, Arbenita Pajaziti, ish-sekretari i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ilhami Gashi, ish-zëvendësministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Fatmir Shurdhaj, ish-këshilltari politik në MPB, Sedat Gashi, Ismet Neziraj, Xhavit Dakaj dhe Rexhë Abazi.
Ata akuzohen për kryerjen e veprës penale “Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në bashkëkryerje”, nga neni 193 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, lidhur me nenin 31 të KPRK-së, prej të cilave disa prej veprave kanë mbetur në tentativë.
Sipas aktakuzës, të pandehurit kanë keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare duke bashkëpunuar në mes vete për dhënien e privilegjeve dhe përparësive kundërligjshme personave të cilët kanë konkurruar në funksione të rëndësishme, siç janë: drejtor për Ndërmarrjet publike qendrore, Kryeshef Ekzekutiv i Agjencisë së Regjistrimit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Kryeshef i Agjencisë për produkte medicinale dhe Koordinator i Qendrës së Regjistrimit Civil në Komunën e Klinës, duke mohuar dhe kufizuar liritë dhe të drejtat e kandidatëve të tjerë, të garantuara me ligj. Në aktakuzë është trajtuar çështja penale e punësimeve dhe ndarjes së posteve, të bazuara në përkatësinë partiake dhe raporte personale, për të cilin problem për një kohë të gjatë alarmojnë qytetarët e Kosovës, Agjencitë për zbatimin e ligjit si dhe mediat dhe shoqëria civile.
Ky rast ishte publikuar nga mediat publike, duke zbuluar veprimet dhe metodat e punësimit brenda grupeve të ngushta interesi, në bazë të së cilës është nisur hetimi i prokurorisë, i cili rezultoi me ngritjen e aktakuzës.
Kjo vepër për të cilën akuzohen këta zyrtarë dhe ish-zyrtarë, sipas nenit 193, paragrafit 4 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, është e dënueshme prej 6 muaj deri në 5 vjet burgim. Protagonisti kryesor i asaj që është quajtur si “Afera Pronto”, ka qenë ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Adem Grabovci.
Në vitin 2011, për herë të parë ishin publikuar në media bisedat nga disa përgjime të EULEX-it, e ku Grabovci dëgjohej duke biseduar ndër të tjerash edhe me presidentin aktual Hashim Thaçin, kryeparlamentarin Kadri Veseli dhe persona të tjerë të politikës, kryesisht të PDK-së.
Grabovci në atë kohë ishte duke u hetuar nga ana e EULEX-it për vepra korruptive në cilësinë e zëvendësministrit të Ministrisë së Transportit dhe Telekomunikacionit, mirëpo këto hetime ndaj tij ishin mbyllur në mungesë të provave.
Në këto përgjime që përfshijnë një periudhë prej dy muajve, nëntor – dhjetor 2011, Grabovci dhe bashkëbiseduesit e tij, mes të cilëve edhe ministri aktual Besim Beqaj, deputeti i PDK-së, Zenun Pajaziti dhe disa persona tjerë, dëgjohen duke diskuar punësimet e personave të afërt me PDK-në në institucione të ndryshme si anëtarë bordesh, drejtorë ndërmarrjesh e agjencish të pavarura.