Përleshje në parkingun e një marketi në Banjë të Pejës, një person theret dy herë me kaçavidë

Prishtinë | 14 Maj 2022 | 13:20 | Nga Ekonomia Online

Me një kaçavidë, pasditen e djeshme, një person dyshohet se ka tentuar ta privojë nga jeta një person tjetër. Përleshjes mes tyre i parapriu një fjalosje që ndodhi në parkingun e një marketi në fshatin Banjë të Istogut.

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se i dyshuari e ka therë dy herë me kaçavidë viktimën – një herë në dorën e majtë dhe një herë nën sqetull.

Rastin për Sinjalin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, i cili tha se viktima ka pësuar lëndime të rënda trupore, por tanimë është në gjendje stabile.

Prangave të Policisë nuk ka arritur t’i ikë i dyshuari, i cili u kap në vendin e ngjarjes, mirëpo ai e kishte një ‘kërkesë’ për zyrtarët policorë.

Siç mëson Sinjali, ai ka kërkuar ndihmë mjekësore duke thënë se është goditur nga viktima me mjet të fortë.

Pas pranimit të ndihmës, i njëjti është dërguar në stacion policor dhe me vendim të prokurorit, është ndaluar për 48 orë.

Gashi njoftoi se lidhur me këtë është iniciuar rasti “Vrasje në tentativë”.

Të ngjashme