Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, sot ka marrë pjesë në ceremoninë me rastin e betimit dhe emërimit të njëmbëdhjetë Përmbaruesve Privatë në Kosovë.
Gjatë kësaj ceremonie, Ministrja Hoxha ka folur për rëndësinë që ka ky profesion duke kontribuar fillimisht në plotësimin e standardeve në shërbim të qytetarëve si dhe në kompletimin e arkitekturës së drejtësisë në Republikën e Kosovës.
Ministrja Hoxha shtoi se Përmbaruesit Privat do të ndihmojnë në zvogëlimin e lëndëve në gjykatat e Republikës së Kosovës, pasi që gjysma e lëndëve kanë të bëjnë me ekzekutimin e tyre dhe mbi të gjitha qytetarëve të Kosovës do t’u mundësohet qasja më e lehtë dhe më e shpejt në drejtësi.
“Ne jemi të përkushtuar që sipas Ligjit në fuqi, numri i Përmbaruesve Privat të arrij në gjashtëdhjetenëntë dhe do të kërkoj nga komisionet përkatëse që të angazhohen komfor Ligjit që ky numër të rritet, kur them rritjen e numrit të përmbaruesve privat e kam fjalën edhe për cilësinë jo vetëm për numrin”, tha Hoxha.
Ministrja Hoxha ka ofruar përkrahjen e saj si ministre e Drejtësisë, duke kërkuar nga përmbaruesit e rinj që të respektojnë ligjin dhe të veprojnë brenda kompetencave që i parasheh ligji.