Përmbyllet kampi veror “WiSci Kosovo”, 100 vajza përfitojnë përvoja në teknologji

Prishtinë | 28 Gus 2019 | 17:39 | Nga Nexhmie Hyseni Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Është mbajtur ceremonia përmbyllëse e kampit veror “Vajzat në shkencë” (WiSci Kosovo), ku morën pjesë rreth 100 vajza nga Kosova, Shtetet e Bashkuara dhe rajoni.

Njëqind vajza nga Kosova, ShBA-ja Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, kaluan 10 ditë në kampin e parë, me qëllim zgjerimin e njohurive dhe aftësive të tyre në shkencë, teknologji, inxhinieri, matematikë dhe art.

Në një fjalë rasti, ambasadori amerikan, Philip Kosnett, ka falënderuar përkrahësit e kampit, ndërsa ka shtuar se ky program është shumë special sepse ka ndihmuar të rinjtë që të kenë përvoja të reja dhe të dobishme.

“Pasioni dhe kreativiteti i vajzave te reja i solli këto vajza në WiSci, për të zhvilluar tutje dhe për t’i ofruar vetes mundësi të reja të cilat pastaj mund t’i reflektojnë në komunitetet e tyre në shtetet e tyre dhe në tërë botën”.

Petrit Selimi, drejtor ekzekutiv i Fondacionit të Sfidave të Mileniumit të Kosovës, ka thënë se gratë dhe vajzat shkencëtare janë të domosdoshme në shoqërinë tonë.

“Shkenca është fascinuese. Gratë dhe vajzat shkencëtare nuk janë fascinuese; ato janë esenciale në progresin e shoqërisë sonë. Përfshirja e tyre në shkencë dhe teknologji i ndihmon ekonomitë dhe shoqëritë tona. Nga vajzat e kampi WiSci presim lidership. Ju vajza jeni tornadot e së ardhmes. Ju do t’i sfidoni mendësinë e bizneseve të zakonshme”, ka theksuar Selimi.

Besa Shahini, ministre e Arsimit e Shqipërisë, ka thënë se studentët nga vende të ndryshme kanë përfituar shumë nga ky kamp.

“Faleminderit që më keni ftuar… Ky kamp ishte një gjë shumë e mirë dhe besoj e keni shijuar. Ne kemi ndihmuar që për ju të jetë diçka ndryshe, pasi ne nuk e dimë çfarë e ardhme na pret, çfarë ekonomie dhe çfarë jete. Kjo është një gjurmë e mirë për studentët për të mësuar për botën digjitale si të përdorni atë” ka thënë ajo.

Sarah Olmstead, drejtoreshë për Kosovën e MCC-së, tha se këto sfida do t’i bëjnë vajzat më të forta.

“Të gjitha këto eksperienca dhe kuriozitete, sidomos vështirësitë, do të ju bëjnë juve ato që jeni, duke u forcuar dhe duke u bërë të gatshme për të zbuluar se çfarë mund të arrini. Shpresoj që në këtë kamp keni gjetur strukturë mbështetëse dhe keni qenë mes shoqeve që ju ndihmojnë tutje të arrini qëllimet tuaja”, ka thënë ajo.

Edhe disa nga studentët kanë thënë se kjo ka qenë një eksperiencë e mirë, pasi janë njoftuar me studentë nga e gjithë bota dhe kanë ndarë eksperiencat e tyre.

Të ngjashme