Përmbyllet suksesshëm punëtoria “Dizajni i hapësirës në Kampusin e UBT-së”

Prishtinë | 09 Dhj 2016 | 17:27 | Nga

Me një atmosferë pune dhe plot dinamikë, të premten në UBT Campus, në Lipjan, ka përfunduar punëtoria njëjavore “Dizajni i hapësirës në Kampusin e UBT-së”.

Në përmbyllje të punëtorisë, e cila gjatë një jave është tutoruar nga profesorët e Universitetit të Shkencave të aplikuara “Van Hall Larenstein” të Holandës, Ad Koolen dhe Jan Roozenbeek, rektori i UBT-së, prof. dr Edmond Hajrizi, ka inkurajuar studentët për aktivitetin e tyre. Ai u shpreh krenar dhe i motivuar për të investuar edhe më shumë.

“Nga rezultatet tuaja, të treguara në këtë punëtori, jam motivuar akoma më shumë për të sjellë në UBT investime dhe modele të reja të dobishme”, u tha Hajrizi studentëve.

Rektori vlerësoi se fokusi i kësaj punëtorie ka qenë tek marrja e ideve, për të reflektuar mbi nevojat dhe dëshirat e studentëve.

“Ne kemi për qëllim që të krijojmë një baraspeshë mes interesimit të studentëve dhe nevojës për të ndërtuar diçka unike dhe të shfrytëzueshme”, shtoi Hajrizi.

Gjatë kësaj punëtorie, studentët punuan në realizimin e projekteve, që kishin të bënin me përpunimin e një dizajni të hapësirës së Kampusit të UBT-së.

Projektet inovative përfshijnë shfrytëzimin e resurseve të energjisë së ripërtëritshme , për të reduktuar koston e harxhimeve, pastaj rregullimin e parkingjeve, mënyrën e ndarjes së mbeturinave për riciklim, krijimin e hapësirave rekreative dhe sipërfaqeve të gjelbëruara etj.

Profesorët Koolen dhe Roozenbeek u shprehën të impresionuar nga njohuritë dhe angazhimi i studentëve.

“Gjatë kësaj punëtorie, studentët kanë qenë shumë të angazhuar, bashkëpunues dhe ndihmues”, theksoi profesori Roozenbeek.

Ndërkaq, duke folur për UBT-në, profesori Koolen tha se ky institucion po i përgatit studentët për funksionimin dhe integrimin e arkitekturës dhe llojeve të ndryshme të energjisë, në shfrytëzim të përditshëm.

“Studentët e UBT-së nuk mendojnë vetëm për vizatimet e mira, por edhe për ekonominë, funksionimin, si dhe aspektet sociale të integrimit të projekteve e të ideve të tyre në jetën e përditshme”, përfundoi Koolen.

Pas prezantimeve të studentëve, nën përcjelljen e rektorit Hajrizi, profesorët holandezë vizituan objektin e ri të UBT-së, i cili është në fazën e ndërtimit.

hajrizi

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme