Përplasja për bursat, Gjinovci: Përfaqësuesit e studentëve janë të korruptuar

Prishtinë | 08 Jan 2018 | 15:51 | Nga

Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” më 21 dhjetor të vitit 2017 kishte marrë vendim që bursat të zbresin në 500 euro për një vit. E ky lajm bëri që disa organizata studentore të ngritin zërin e tyre që një gjë e tillë mos të ndodhë.

Tani Rektori Dema thotë se ka disponim që kjo shumë të ngrihet në 600 euro, por as me këtë shumë nuk pajtohet organizata studentore “Reforma”.

Rron Gjinovci nga organizata për arsim “Orca” thotë se përfaqësuesit e “Reformës” janë të përfshirë në afera korruptive dhe nuk kanë qëllim t’i përfaqësojnë studentët.

Mirëpo pas shumë reagimeve të organizatave studentore, filluan edhe deklaratat e para nga përfaqësues të lartë të institucioneve përkatëse.

Ishte i pari Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili priti në takim një grup të studentëve bursistë të Universitetit të Prishtinës, të përfaqësuar nga studentët Drilon Berisha, Egzon Osmani, Donjeta Ahmeti dhe Arton Bunjaku.

Në këtë takim, ku i pranishëm ishte edhe Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, ata shprehën shqetësimet e tyre përkitazi me zvogëlimin e bursave, për të cilat thanë se do të ndikojnë ndjeshëm në motivimin e studentëve të dalluar bursistë.

Por, Haradinaj po ashtu e quajti të padrejtë këtë vendim të Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, ku edhe iu tha studentëve që nuk do të ketë zvogëlim të bursës.

Mirëpo, edhe pse një deklaratë e Kryeministrit u dha në prani të Ministrit të Arsimit dhe bursisteve, nga organizatat studentore dhe vetë studentët nuk ishte e besueshme.

Pas kësaj deklarate, tek sot Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina, Marjan Dema, bëri të ditur se do të shqyrtohet përsëri vendimi që vlera e bursës studentore të jetë 600 euro.

“Këshilli Drejtues i UP-së ka marrë vendim që bursa të jetë 500 euro. Kjo bursë ka qenë 600 euro. Do të shqyrtohet edhe një herë dhe kam parë disponim që të kthehet vendimi dhe bursa të jetë 600 euro”, tha Dema.

Mirëpo, edhe pse Rektori Marjan Dema deklaroi se bursa për studentë do të jetë 600 euro, një gjë të tillë nuk po e pranojnë studentët.

Sot, para Rektoratit dhjeta studentë në krye me drejtuesin e Organizatës Studentore “Reforma”, kanë mbajt një aktivitet simbolik, ku mes tjerash kanë thënë se nuk do të pranojnë uljen e bursës, shkruan Gazeta Express.

“Ne jemi të gatshëm të dalim edhe në protesta nëse veç bursa zbritet”- ka thanë mes tjerash Arben Nishani nga organizata “Reforma”.

Gjithashtu, Nishani ka thanë se nëse nuk do të marrin masa lidhur me këtë temë, organizatat studentore do të organizohen dhe sipas tij do të rrëzojnë bordin aktual.

Ndërsa, Gazeta Express ka kontaktuar me njërin nga përfaqësuesit e organizatës për arsim “ORCA”, me Rron Gjinovcin i cili thotë se organizata studentore “Reforma” nuk e ka seriozisht këtë çështje.

“Reforma nuk e ka seriozisht këtë çështje. Udhëheqësit dhe themeluesit e saj janë të përfshirë në afera korruptive në UP dhe nuk ka kredibilitet për te ngritur çështje te tilla”- thotë për Express, Gjinovci.

Madje ai thotë se në rast se ulen bursat, studentët duhet të organizohen vetë dhe të mos lejojnë një akt të tillë, e jo të ndikohen nga organizata të ndryshme.

“ORCA thërret studentët që të organizohen vet për çështjen e bursave dhe të mos lejojnë që organizatat e ndryshme ta shfrytëzojnë këtë çështje për të përfituar për interesa të veta”- ka thanë mes tjerash Rron Gjinovci.

Në marsin e vitit 2015, ishte vendos që bursat e studentëve të zbriten për 200 euro, nga 900 sa ishin të bëheshin 700.

Edhe në atë kohë kishte reagime, mirëpo ato nuk u morën parasysh dhe bursistët merrnin shumën prej 700 euro.

Ndërsa tash, studentët nuk janë dakord as për shumën 600 euro e cila është propozuar nga Rektori Dema, ata kërkojnë që bursa të ketë vlerën si në vitet e kaluara, pra 900 euro.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme