Ditën e hënë Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik kishte marrë mostra për testim në Covid-19 të 22 pjesëtarëve të personelit mjekësorë të Repartit të Gjinekologjisë dhe të Neonatoligjisë të Spitalit të Përgjithshëm të Pejës.
Siç ka njoftuar të martën zëdhënësi i këtij spitali, Naim Sahiti, të gjitha testimet kanë dal negative.
“Në fundjavën e kaluar një mjeke ka dalë pozitive në testimin e bërë dhe si rrjedhojë në Repartin e Neonatologjisë dhe Gjinekologjisë dje është bërë testimi i 22 pjesëtarëve të personelit në këto reparte dhe fatmirësisht të gjithë kanë dalë negativë. Duhet theksuar se përdorimi i mjeteve mbrojtëse dhe dezinfektimi i vazhdueshëm janë dy faktorët që po e mbrojnë personelin e spitalit dhe ambientet spitalore në mënyrë që ata që kanë nevojë për shërbime shëndetësore, t’i marrin ato të sigurt dhe si duhet”, tha Sahiti.
Në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës është shfaqur rasti i parë i infektimit me virusin Covid-19 të njëri prej stafit mjekësor në repartin e Neonatologjisë, konkretisht një neonatologe është testuar pozitivisht javën e kaluar. Ajo kishte trajtuar foshnjën e porsalindur të një pacienteje, e cila pas lirimit nga spitali është diagnostifikuar pozitivisht me virusin Covid-19. Kjo paciente që ka lindur, e që kishte dal pozitiv në virusin Covdit-19”, ka qenë njëra prej pacienteve të gjinekologut nga Gjakova, i cili ditë më parë është diagnostifikuar me virusin korona.
Drejtori i këtij spitali, Skënder Dreshaj, të hënën ka pohuar për KOHËN se neonatologia e këtij spitali, nuk është infektuar në spital, ndonëse ka trajtuar foshnjën e një pacientes se diagnostifikuar pastaj me virusin Covid-19. “Ajo e ka trajtuar foshnjën e porsalindur të nënës që ka rezultuar pozitiv. Por foshnja ka qenë negativ në test dhe mjekja ka punuar me masat mbrojtëse. Kështu që nuk e dimë se ku është infektuar mjekja, se ajo ka trajtuar foshnjën me masa të mbrojtjes”, ka pohuar të hënën Dreshaj për Kohën.
Ndërsa, sot, siç tha zëdhënësi i këtij spitali, Naim Sahiti, do të testohen edhe 20 të tjerë të personelit mjekësor të këtij spitali. Disa prej tyre në Repartin Neurologjik, të cilët kanë trajtuar fundjavën që shkoi një të moshuar nga komuna e Istogut me gjakderdhje në tru dhe pasi është trajtuar dhe stabilizuar, në gjendje pa vetëdije ishte transportuar në Klinikën e Neorologjisë në Prishtinë. Atje i është bërë edhe testi dhe ka rezultuar pozitiv në Covid-19. Asnjëri prej personelit mjekësorë në të dy repartet nuk kanë qenë në izolim, ngase, siç ka pohuar drejtori i spitalit, Skënder Dreshaj, Instituti Kombëtar i Shëndetit ka vlerësuar se të gjitha masat mbrojtëse kanë qenë të ndërmarra dhe nuk ka pas arsye për izolim dhe që të dy pacientët janë trajtuar në bazë të protokollit.
“Personeli ka qenë me masat mbrojtëse, rrobat mbrojtëse dhe me maska”, ka thënë drejtori i Spitalit.