Përurohet shkolla fillore “Emin Duraku” në Kaçanik

Prishtinë | 06 Sht 2016 | 15:29 | Nga

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë z Arsim Bajrami, ka përuruar shkollën fillore “Emin Duraku“ në Kaçanik, e cila numëron rreth 800 nxënës dhe ka vizituar shkollën fillore “Qamil Ilazi“ në Kaçanikun e vjetër.

Ministri Bajrami, fillimisht ka uruar nxënësit dhe mësimdhënësit për fillimin e vitit të ri shkollor, ndërsa theksoi se ndërtimi i objekteve të reja shkollore krijon mundësi reale për një arsim cilësor çfarë e dëshirojmë.

“Jam jashtëzakonisht i kënaqur që së bashku, sot në Kaçanikun historik po e inaugurojmë një objekt modern shkollor, një shkollë që ofron kushte moderne për një arsim cilësor, një shkollë e cila ka ambiente të mira edhe për aktivitete të ndryshme, si dhe sallën sportive, e cila do t’iu shërbejë jo vetëm nxënësve, por edhe të rinjve kaçanikas për aktivitet kulturore sportive”, tha ministri Bajrami.

Jemi të angazhuar që të ndërtojmë një sistem të mirë arsimor, tha Ministri, një sistem pozitiv, të krijojmë shkolla cilësore dhe që shtetin tonë ta bëjmë të përparuar. “Prandaj, ndërtimi i shkollave të reja imponon edhe angazhimin maksimal të nxënësve dhe mësimdhënësve për të arritur suksese të larta në mësim”.

Ministri Bajrami, i shoqëruar nga kryetari i komunës së Kaçanikut z .Besim Ilazi dhe deputetë të zonës, ka vizituar edhe shkollën fillore “Qamil Ilazi“ në Kaçanikun e vjetër , me ç`rast nxënësve dhe mësimdhënësve të kësaj shkolle iu premtoi që MAShT-i, do të shikojë mundësitë për ndërtimin e objektit të ri shkollor edhe për këtë shkollë.

Shkolla fillore “Qamil Ilazi“, sipas përgjegjësve të këtij institucioni ka mbi 400 nxënës, ndërsa objekti ku aktualisht zhvillohet mësimi nuk është i përshtatshëm për zhvillimin e procesit mësimor.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme