Përurohet stadiumi në Shtime, konsiderohet një nga projektet më të rëndësishme

Shtime | 22 Nën 2018 | 12:57 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, bashkë me kryetarin e Komunës së Shtimes, Naim Ismajli, ka bërë sot përurimin e Stadiumit të Shtimes.

Ky përurim u bë në zbatim të memorandumit të nënshkruar mes MKRS-së dhe Komunës së Shtimes për investim financiar për ndërtimin e stadiumit.

Vlera e realizimit të këtij projekti kalon shumën prej 100 mijë eurosh, të cilat janë financuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Kujtim Gashi tha se është nderë për të që në fund u realizua ëndrra e kamotshme e sportistëve dhe sportdashësve.

“Është moment i veçantë për mua dhe Republikën e Kosovës dhe komunën e Shtimes dhe qytetarët që më në fund po e realizojmë një ëndërr të kamotshme të gjithë sportistëve, sportdashësve, që edhe Shtimja të ketë infrastrukturën e nevojshme të sporteve”, tha Gashi.

Ai u zotua se jo vetëm me këtë projekt që u përurua sot por shumë shpejt do të përfundohet edhe projekti i Palestrës Sportive.

“ Jam i gatshëm që ta mbështesë edhe kërkesën e juaj që Shtimja të bëhet me Qendër duke pasur parasysh një komunitet të madh të të rinjve të talentuar që ka Shtimja”, përfundoi ministri Gashi.

Ai ka folur edhe për fitoren e kombëtares së Kosovës në ndeshjen e fundit, për sukseset e basketbollistëve dhe xhudistëve.

“Dita ditës në Kosovë ka jashtëzakonisht suksese pothuajse në të gjitha sportet , na ndajnë vetëm dy ditë kur kombëtarja e Kosovës e bëri edhe një hap drejt kualifikimeve në garën evropiane, njëjtë kemi edhe basketbollin, po ashtu sportistë të sporteve të ndryshme, duke përfshirë xhudistët”, tha Gashi.

Ai ka treguar se edhe për vitin 2019 kanë ndarë mjete për të mbështetur sportin në Kosovë.

“Tashmë në vitin 2018 por edhe në planifikimet për vitin 2019 kemi miliona euro të ndara për avancimin  e infrastrukturës dhe mbështetjen e sporteve në Kosovë. Më asgjë nuk është risi, sportistë nga Kosova, klube nga Kosova janë konkurrentë të jashtëzakonshëm të rëndësishëm në të gjitha garat”, tha Gashi.

E, kryetari i Komunës së Shtimes, Naim Ismajli ka thënë se ky projekt nuk do të përfundonte kaq shpejtë pa ndihmën dhe bashkëpunimin e MKRS dhe të diasporës.

“Një objekt i cili i ka munguar komunës së Shtimes dhe objekt që ne e konsiderojmë një nga projektet më të rëndësishme”, tha Ismajli, raporton Ekonomia Online.

“Ky projekt po vërteton edhe një herë se diaspora jonë edhe para luftës, edhe gjatë luftës, por edhe pas luftës po vazhdon ta mbështet popullin e saj në Kosovë, ta ndihmojë ndërtimin e saj për të cilin jemi shumë mirënjohës dhe besoj se po shtohen obligimet  karshi neve si përfaqësues të institucioneve për ta”.

Në këtë përurim morën pjesë edhe zëvendësministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota dhe kryetari i klubit “Vjosa”, Avdi Sadiku.

 

 

 

 

 

Të ngjashme