Pesë mësimdhënës infektohen me COVID-19, një shkollë në Deçan kalon në mësim online

Prishtinë | 09 Nën 2020 | 14:45 | Nga Ekonomia Online

Pas rritjes rekorde të rasteve me coronavirus, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj sot ka mbajtur takim virtual me kryetarët e Komunave të Kosovës.

Ministri Armend Zemaj pas takimit në një postim në Facebook bëri të ditur se pas rritjes rekorde të rasteve me coronavirus, do të vazhdojnë me vendime operacionale, për komuna të caktuara në bazë të kategorizimit si pasojë e numrit të të infektuarve.

Telegrafi ka mësuar vendimin lidhur me komunën e Deçanit.

Në këtë qytet, shkolla fillore e mesme e ultë “Lidhja e Prizrenit” nga skenari A, kalon në skenarin C (mësim online).

Në arsyetimin e këtij vendimi thuhet se “duke pasur parasysh rekomandimet e IKSHPK-së dhe hulumtimin dhe mbikëqyrjen aktive të situatës epidemiologjike, SHFMU “Lidhja e Prizrenit” në Komunën e Deçanit ka rreth 970 nxënës dhe 74 mësimdhënës/ staf teknik administrativë. IKSHPK ka bërë testimin e një pjese të mësimdhënësve në SHFMU “Lidhja e Prizrenit” në komunën e Deçanit ku pesë mësimdhënës kanë rezultuar pozitiv me COVID-19. IKSHPK ka rekomanduar që në SHFMU “Lidhja e Prizrenit” në komunë e Deçanit, mësimi të kaloj nga skenari “A” në skenarin “C”, me qëllim të parandalimit të përhapjes së COVID-19”.

Ndryshe deri më sot në këtë komunën janë të identifikuara 303 raste me virusin SARS-CoV-2. Prej tyre 190 të shëruar plotësisht, 12 kanë humbur jetën dhe 101 raste janë̈ akoma aktive.

Të ngjashme