Pesë të arrestuar në Kroaci për vjedhjen e stolive milionëshe në Venecie

Prishtinë | 09 Nën 2018 | 18:33 | Nga Ekonomia Online

Pesë persona janë arrestuar të premten për vjedhjen e pretenduar të stolive me vlerë prej dy milionë eurosh, në pronësi të një anëtari të familjes mbretërore të Katarit, nga pallati Doge në Venecie, gjatë fillimit të janarit, raporton The Guardian.

Në rastin që alarmoi policinë, plaçkitësit ia dolën që ta deaktivizojnë sistemin e alarmit, të depërtojnë në vendin ku ruheshin stolitë dhe të vjedhin disa vathë përpara se të përzihen në turmën e njerëzve gjatë ditës së fundit të një ekspozite katërmujore, në të cilën ishte shpalosur koleksioni pesëshekullor i zejtarisë indiane, transmeton Koha Ditore.

Katër kroatë dhe një serb, të moshave ndërmjet 43 dhe 60 vjeçare, janë arrestuar në kryeqytetin kroat, Zagreb. Njëri prej të dyshuarve thuhet të jetë pjesëtar i “Pink Panter”-ëve, një rrjet ky ndërkombëtar i plaçkitësve të stolive.

Hetuesit kanë qenë në kërkim të të njëjtit të dyshuar që prej plaçkitjes së stolive me vlerë prej 10 milionë eurosh gjatë një ekspozite në Bazel të Zvicrës, më 2011.

Prefekti i Venecies, Luigi Brugnaro, tha se drejtësia është vënë në vend “për ata që mendonin se mund të kryenin krim në Venecie dhe të shpëtojnë pa therë në këmbë”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme