Petar Petkoviq nervozohet pas publikimit të videos që zbuloi farsën e “ecjes” për Vuçiqin

Prishtinë | 10 Pri 2025 | 11:21 | Nga Ekonomia Online

Një video e publikuar nga aktivistët e grupit “Uzinat” ka hedhur dritë mbi një tjetër skenar të organizuar nga autoritetet serbe. Pamjet tregojnë se grupi i serbëve nga Kosova, që supozohej se po ecte në këmbë drejt Beogradit për të marrë pjesë në mitingun e së shtunës të thirrur nga presidenti Aleksandar Vuçiq, në fakt ishte duke udhëtuar me autobusë.

Zbulimi i kësaj videoje ka vënë në pozitë të vështirë Petar Petkoviqin, të ashtuquajturin drejtor të ‘Zyrës për Kosovën’ në qeverinë e Serbisë. Në një përpjekje për të justifikuar pamjet dhe për të zbutur skandalin, Petkoviq ka nisur një sulm ndaj mediumit N1 që publikoi të vërtetën.

Sipas tij, pas “ecjes simbolike” nga Kosova, për grupin u organizua një darkë dhe më pas ata u transportuan me autobusë “për të marrë veten nga lëndimet” që thuhet se kishin pësuar gjatë rrugës. Ai deklaroj qe serbët nga Kosovaa kanë përfunduar rrugën e tyre të ecjes dhe në mbrëmje kanë shkuar në darkë në mënyrë të organizuar.

Dyshimet për autenticitetin e “marshimit” nisën edhe më herët, kur në rrjete sociale u publikua një fotografi e pjesëmarrësve gjatë “ecjes”. Pothuajse te gjithë nga ta nuk mbante pajisje apo çanta shpine, dhe në grup mungonin gratë – të gjithë ishin burra.

Zyrtarisht, grupi i serbëve u nis të dielën nga Rudnica, afër Rashkës, me qëllim për të mbështetur presidentin serb në mitingun që pritet të mbahet të shtunën në Beograd. Edhe vetë Vuçiq, atë ditë, publikoi një foto të tyre, duke ecur të mbuluar me borë dhe kapuçë në kokë.

Sipas rrëfimeve zyrtare, grupi kishte fjetur në Ushçe natën e parë, kishte arritur në Kraljevë ditën e dytë, dhe në Preljinë të mërkurën në mbrëmje. Më pas, ata thuhet se kanë vazhduar për në Gornji Milanovc, ku janë pritur nga Petkoviq.

Por, siç dokumenton videoja e siguruar nga “Uzinat” dhe publikuar nga N1, këta persona janë filmuar duke hipur në autobusë pranë qendrës së Gornji Milanovcit – një provë që hedh poshtë narrativën e ecjes simbolike dhe e ekspozon këtë aktivitet si një inskenim për konsum propagandistik të brendshëm në Serbi.

Të ngjashme