Peticioni “Drejtësi për Astritin” dorëzohet në Kuvend

Prishtinë | 28 Nën 2016 | 21:30 | Nga

Organizatorët e peticionit “Drejtësi për Astritin” kanë njoftuar se do ta dorëzojnë, të martën, në Kuvendin e Kosovës 25 000 nënshkrimet e mbledhura.

Përmes një njoftimi për media, organizatorët, të cilët po prezantohen si përfaqësues të shoqërisë civile, kanë njoftuar se nesër në orën 14:00 peticioni do t’i dorëzohet Kryesisë së Kuvendit, Qeverisë së Kosovës si dhe Komisionit Parlamentar për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione.

Peticioni do të dorëzohet nga Besa Luzha, Florina Duli dhe Rudinë Jakupi. Por, janë ftuar të gjithë qytetarët që duan që t’i bashkohen atyre në dorëzimin e këtij peticioni.

Organizatorët kanë bërë me dije se për pesë ditë janë mbledhur rreth 25 mijë nënshkrime.

Shoqëria civile kishte thirrur të enjten protestë, pas përfundimit të së cilës bëri thirrje për nënshkrimin e peticionit që ishte përgatitur mbi këto pika:

1. Hetim të pavarur dhe transparent për rastin sa më parë

2. Dorëheqjen e udhëheqësve të Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme për mosgatishmërinë morale e ligjore për të kërkuar dhe dhënë përgjegjësi.

3. Fillimin e menjëhershëm të ndjekjes penale të përgjegjësve që dështuan të garantojnë sigurinë e jetës së Astritit në institucionet e shtetit dhe shkarkimin e zyrtarëve përgjegjës në tërë zinxhirin hierarkik për mos trajtimin dinjitoz të Astritit në qendrën e paraburgimit edhe pas vdekjes së tij.

4. Kryesia e Kuvendit të Kosovës në bazë të Nenit 38, paragrafit 1 të Rregullores së Punës së Kuvendit, të thërras mbledhje të jashtëzakonshme për rastin e Astrit Deharit.

Astrit Dehari vdiq në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, në ditën e 5 nëntorit. Raporti i autopsisë ka gjetur se ai ka ndërruar jetë nga asfiksia e shkaktuar nga vetë 26-vjeçari, por familja Dehari e lëvizja Vetëvendosje, pjesë e të cilës ishte ai, nuk po e pranojnë këtë version.

Të ngjashme