PISA 2025: Nxënësit e Kosovës më dobët se para një dekade në tri fushat kryesore

Prishtinë | 08 Sht 2026 | 15:21 | Nga Ekonomia Online

Rezultatet e PISA 2025 paraqesin një pamje alarmante të arsimit në Kosovë, me rezultate ndër më të dobëtat mes 91 vendeve dhe ekonomive pjesëmarrëse.

Nxënësit kosovarë morën mesatarisht 357 pikë në shkencë, 350 në matematikë dhe vetëm 340 pikë në lexim. Në zgjidhjen kompjuterike të problemeve, mesatarja ishte 359 pikë.

Të gjitha këto rezultate janë dukshëm nën mesataren e vendeve të OECD-së, sipas raportit zyrtar për Kosovën.

Regresi më i fundit është evidentuar në matematikë. Krahasuar me PISA 2022, rezultati i Kosovës ra për pesë pikë. Leximi ra për dy pikë, ndërsa shkenca mbeti statistikisht e pandryshua.

Megjithatë, krahasimi me vitin 2018 është edhe më shqetësues. OECD-ja konstaton se Kosova ka rezultate më të ulëta në të tria fushat: matematikë, lexim dhe shkencë.

Gjendja më e rëndë paraqitet në matematikë. Vetëm 15 për qind e nxënësve kosovarë arritën së paku nivelin bazë të aftësisë. Mesatarja e OECD-së ishte 65 për qind.

Kjo nënkupton se 85 për qind e 15-vjeçarëve në Kosovë nuk mund ta përmbushnin as standardin minimal të matematikës të përcaktuar nga PISA.

Në këtë nivel minimal, nxënësi duhet të jetë në gjendje ta paraqesë matematikisht një situatë të thjeshtë, si krahasimi i distancave ose konvertimi i çmimeve.

Pamja është pothuajse po aq e rëndë në lexim. Vetëm 16 për qind e nxënësve arritën nivelin bazë, kundrejt mesatares prej 69 për qind në OECD.

Pra, 84 për qind mbetën nën nivelin që kërkon identifikimin e idesë kryesore në një tekst mesatar dhe gjetjen e informacionit sipas kritereve të përcaktuara.

Në shkencë, vetëm 21 për qind arritën nivelin minimal, ndërsa mesatarja e OECD-së ishte 74 për qind. Pothuajse asnjë nxënës kosovar nuk arriti nivelet më të larta.

Në përgjithësi, 73.8 për qind e nxënësve kosovarë rezultuan nën nivelin bazë në të tri fushat njëkohësisht. Përqindja e nxënësve me performancë të lartë ishte praktikisht zero.

Tendenca afatgjatë është qartësisht negative. Krahasuar me vitin 2015, përqindja e nxënësve me rezultate të dobëta është rritur për shtatë pikë përqindjeje në matematikë dhe lexim.

Në shkencë, rritja e nxënësve nën nivelin bazë arrin në 11 pikë përqindjeje. Ky është regresi më i madh ndër tri fushat kryesore.

Ndërmjet viteve 2022 dhe 2025 është zgjeruar edhe hendeku mes 10 për qind të nxënësve më të mirë dhe 10 për qind të më të dobëtve në matematikë.

Problemet shfaqen edhe në vijueshmërinë e mësimit. Rreth 54 për qind e nxënësve deklaruan se kishin munguar së paku një ditë gjatë dy javëve para testimit.

Në vitin 2022 kjo përqindje ishte 51 për qind, ndërsa më 2018 ishte 46 për qind. Edhe mungesat në orë u rritën nga 48 në 56 për qind.

Raporti regjistron rënie edhe të mbështetjes familjare. Vetëm 50 për qind diskutonin çdo javë me prindërit për problemet në shkollë, nga 65 për qind më 2022.

Mbështetja e mësimdhënësve në shkencë gjithashtu është dobësuar krahasuar me vitin 2015. Raporti evidenton rënie të ndihmës shtesë dhe të përpjekjeve për t’u siguruar se nxënësit e kuptojnë mësimin.

Në testim morën pjesë 6 mijë e 632 nxënës nga 213 shkolla, që përfaqësojnë rreth 19 mijë e 900 kosovarë të moshës 15-vjeçare.

Rezultatet evidentuan edhe një here se Kosova po përballet me rënie të vazhdueshme të njohurive bazë, mungesave dhe mbështetjes për nxënësit.

Të ngjashme