PK ndalon dy furgonë në Kamenicë, po kontrabandonin kafshë nga Serbia

Prishtinë | 09 Gus 2022 | 15:19 | Nga Ekonomia Online

Patrullat policore kufitare nga Drejtoria Rajonale Lindje, sot më datë 09.08.2022, rreth orës 10:40, përmes rrugëve operative kanë pranuar informatë se nga territori i Serbisë, përmes rrugëve malore, po kontrabandoheshin kafshë.

Njësitë policore kanë reaguar dhe në fshatin Hodonovc të Kamenicës, kanë hasur në dy automjete me të cilat po barteshin kafshët. Shoferi i njërit automjet, me të vërejtur patrullën e policisë, ka devijuar rrugën dhe ka hyrë në një rrugë dytësore, duke e lënë automjetin dhe ikur arave. Në automjet kishte të ngarkuar kafshë, gjashtë dele dhe një viç.

Po ashtu është hasur edhe një furgon tjetër i braktisur dhe në të kishte dy lopë. Pra, në dy automjetet kishte gjashtë dele, dy lopë e një viç.

Në polici, më pas janë paraqitur dy të dyshuar, drejtuesit e automjeteve, F.B., (32-vjeçar) dhe F.B., (37-vjeçar), që të dy shtetas të Kosovës.

Rreth rastit janë njoftuar inspektorët e AUV-i për verifikim dhe kontroll të gjendjes së kafshëve.

Rasti është u trajtuar nga hetuesit policorë të Drejtorisë Rajonale Lindje në koordinim me Prokurorinë e Shtetit.

Të ngjashme