PK: Nuk ka kurrfarë eksodi të kosovarëve

Prishtinë | 05 Sht 2017 | 17:34 | Nga

Policia e Kosovës ka përgënjeshtruar informacionet që janë dhënë nga disa medie lidhur me gjoja një “fluks apo eksod të ri të kosovarëve”.

Policia thotë se menjëherë ka ndërmarrë veprime për verifikim të këtyre informacioneve dhe bazuar në punë operative të zyrtarëve policorë dhe në bashkëpunim me Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës, si dhe autoritetet tjera është konstatuar se nuk bëhet fjalë për kurrfarë eksodi të qytetarëve tanë dhe se nuk ka vend për shqetësime të tilla.

“Gjithashtu nuk ka asnjë konfirmim nga asnjë shtet i BE -se, se ka rritje të numrit të kërkesave të kosovarëve për azil në këto shtete”.

“Gjatë sezonit sezonit veror, vendin tonë e kanë vizituar shumë bashkatdhetarë tanë, prandaj një numër i madh i tyre kanë përfunduar pushimet dhe festat dhe si zakonisht kthehen nëpër vendet ku ata jetojnë dhe punojnë. Autoritetet tona kanë njoftuar rregullisht përmes medieve për qarkullimin dhe fluksin nëpër pikat e kontrollit kufitar si në hyrje dhe dalje të Republikës së Kosovës dhe masat e ndërmarra për lehtësim në qarkullim, prandaj raportimet për ikje masive apo eksod të qytetarëve në mënyra tjera janë të pavërteta”, thuhet në njoftimin për medie.

Policia e Kosovës apelon te mediet që kërkesat për informacione t’i adresojnë tek autoritetet kompetente në mënyrë që t’u shmangen publikimit të dezinformatave apo informacioneve jo të sakta.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme