PK reagon ndaj televizionit italian për kampet e ISIS-it

Prishtinë | 27 Tet 2016 | 16:20 | Nga

Policia e Kosovës ka reaguar lidhur me reportazhin e televizionit italian nga Kosova të titulluar “Në kampin e rekrutimit të ISIS-it”, lajm ky i cili u publikua edhe nga portalet në vend.

Policia përmes këtij reagimi ka bërë të ditur se lajmi nuk paraqet gjendjen reale në Republikën e Kosovës dhe se masat e ndërmarra parandaluese nga institucionet ligjzbatuese, duke përfshirë edhe arrestimin e personave të dyshuar që merreshin me rekrutim, si dhe të atyre që kanë qenë pjesë e grupeve të caktuara që ndërlidhen me terrorizmin, kanë rezultuar që sot të kemi një gjendje krejt ndryshe në aspektin pozitiv krahasuar me dy vite më parë.

Më tej policia ka theksuar se në Kosovë nuk kanë ekzistuar asnjëherë kampe të rekrutimit, siç paraqiten në lajmet e publikuara si vend me kampe rekrutimi të ISIS-it, por vite më parë ka pasur raste të shpërndarjes së ideologjisë fetare ndaj të cilave ka ndërmarrë veprime Policia e Kosovës.

Reagimi i plotë:

“Policia e Kosovës (PK), me qëllim të informimit të drejtë të opinionit publik lidhur me lajmin e publikuar që i referohet një televizioni italian, (emisionit investigativ “Le Iene”) reportazh nga Kosova: “Në kampin e rekrutimit të ISIS-it”, lajm ky i cili mbrëmë me 26.10.2016 është publikuar edhe nga disa media/portale vendore, reagon ndaj këtij lajmi dhe shkrimeve që i dedikohen fshatit Debëllde të Kosovës dhe sqaron me sa vijon:

Policia e Kosovës bën me dije dhe sqaron se lajmi i publikuar nuk paraqet gjendjen reale në Republikën e Kosovës dhe se masat e ndërmarra parandaluese nga institucionet ligjzbatuese, duke përfshirë edhe arrestimin e personave të dyshuar që merreshin me rekrutim, si dhe të atyre që kanë qenë pjesë e grupeve të caktuara që ndërlidhen me terrorizmin, kanë rezultuar që sot të kemi një gjendje krejt ndryshe në aspektin pozitiv krahasuar me dy vite më parë.

Sensibilizimi apo vetëdijesimi i vazhdueshëm i qytetarëve nga ana e institucioneve relevante të Republikës së Kosovës, si të nivelit qendror po ashtu edhe të atij lokal, dhe shoqërisë në përgjithësi, ka ndikuar që të parandalohen rastet e tilla, të kemi një situate mjaft të mirë dhe stabile në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, duke përfshirë edhe fshatin Debëllde të cilës i referohet lajmi që aktualisht ka paraqitur lajmin e disa viteve të mëhershme e jo të gjendjes së tanishme.

Pra, rikonfirmojmë se situata e paraqitur në lajmin e publikuar nuk paraqet gjendjen reale të Kosovës dhe të fshatit në fjalë, në të cilin nuk kanë ekzistuar asnjëherë kampe të rekrutimit, siç paraqiten në lajmet e publikuara si vend me kampe rekrutimi të ISIS-it, por vite më parë ka pasur raste të shpërndarjes së ideologjisë fetare ndaj të cilave ka ndërmarrë veprime Policia e Kosovës.
Prandaj, konsiderojmë se opinioni publik duhet të informohet drejt dhe korrekt se Policia e Kosovës në bashkëpunim me institucionet tjera të zbatimit të ligjit ka arritur rezultate pozitive në parandalimin dhe arrestimin e personave të dyshuar që ndërlidhen me terrorizmin”

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme